Vijon numërimi për kandidatët, Taulant Balla kryeson listën, Lulzim Basha më i votuar se Edi Rama

Pas përfundimit të numërimit për subjektet politike, grupet e numërimit të vendosura në çdo KZAZ do të nxjerrin rezultatet për çdo kandidat për deputet në të gjithë vendin...

Ka nisur tashmë numërimi i votave për kandidatët preferencialë në të gjithë vendin. Pas përfundimit të numërimit për subjektet politike, grupet e numërimit të vendosura në çdo KZAZ do të nxjerrin rezultatet për çdo kandidat për deputet në të gjithë vendin.

Ndërkohë që në disa zona ka përfunduar, si Pustec, Kolonjë, Delvinë.

Janë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur që presin rezultatin. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Qarku Kukës është ai që nxjerr më pak deputetë, vetëm 3. Ndërkohë që nga Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë në vend, përftohen 36 mandate ligjvënësish.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhja e kandidatëve preferencialë ishin risia e zgjedhjeve të 25 Prillit.

Rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime më 25 prill për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm.

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar dje të gjitha KZAZ në të gjithë vendin që të fillonin sot në orën 09:00 procesin e numërimit për kandidatët për deputetë.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi ka udhëzuar që për ato KZAZ që kanë përfunduar numërimin e votave për subjektet zgjedhore, të fillojnë numërimin për kandidatët nesër, datë 28 prill 2021 në orën 9:00. Në ato KZAZ ku ka filluar, ose pritet të fillojë numërimi i votave për kandidatët, numërimi do të vazhdojë sot deri në orën 24:00 dhe do të rifillojë nesër në datën 28 prill 2021, në orën 9:00”, thuhet në njoftimin e KQZ.

Mbyllet numërimi në Shkodër e Dibër, Taulant Balla kryeson listën e më të votuara

Ora 07:00 Është mbyllur numërimi i votave preferenciale për kandidatët për deputetë edhe në Shkodër e Dibër. Deri më tani, politikani më i votuar është Taulant Balla, i ndjekur nga socialistët Erjon Braçe, Belinda Balluku, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi. Ndërkohë, bie në sy se kryedemokrati Lulzim Basha ka marrë 11 745 vota, dhe renditet i shtatti më i votuari, duke lënë pas kryeministrin Edi Rama, i cili renditet i dhjetti në listë me 11 412 vota.

Mbyllet numërimi në Bashkinë Librazhd, Sarandë, Maliq, Gjirokastër, Taulant Balla rezulton më i votuari nga të gjithë, lë pas dhe Edi Ramën

Ora 21:30 Është mbyllur numërimi i votave preferenciale për kandidatët për deputetë në Bashkitë Librazhd, Maliq, Sarandë dhe Gjirokastër. Nga rezultatet e derimëtanishme nga KQZ, politikani që ka marrë më shumë vota preferenciale është Taulant Balla, me 17 146 vota, i ndjekur nga Bledar Çuçi, me 11 814 vota, dhe në vend të tretë renditet kryeministri Edi Rama, me 11 412 vota.

Nga radhët e demokratëve, për bashkitë e mësipërme, ku është mbyllur numërimi, më të votuar janë Tritan Shehu në Gjirokastër, Ervin Salianji në Maliq, Lefter Gështenja në Librazhd dhe Ina Zhupa në Sarandë.