Vetëm 40% e shqiptarëve do e bënin vaksinën! – Anketa e EFB, 43.7% mendojnë se Bill Gates do na implementojë çipin për të na gjurmuar

Shqiptarët kanë përqindjen më të lartë në rajon të atyre që mendojnë se koronavirusi doli nga një laborator në Wuhan, përqindjen më të lartë të atyre që mendojnë se virusin e ka fabrikuar në formë arme ushtria amerikane, përqindjen më të lartë të atyre që mendojnë se virusi ka lidhje me rrjetin 5G.

Në rast se vaksina do të vijë në Shqipëri, dhe autoritetet shqiptare do ta rekomandojnë kryerjen e saj nga e gjithë popullsia, vetëm 40% e shqiptarëve janë të gatshëm ta bëjnë atë. Në këtë përfundim arrin anketa më e fundit e publikuar nga Fondi Europian Për Ballkanin (EFB), që ka publikuar një studim në formën e një ankete për të gjitha vendet e rajonit.

Kështu, të pyetur a do ta bënin vaksinën ose jo, thuajse 55% e shqiptarëve refuzojnë, ndërsa rreth 5% janë të pavendosur. Vetëm Serbia dhe Mali i Zi në rajon kanë një normë më të ulët se Shqipëria sa i përket atyre që refuzojnë ta bëjnë vaksinën. Por, veç kësaj, nga kjo anketë, tremb edhe diçka tjetër; pasi rezultojmë të jemi populli më i ndjeshëm ndaj teorive konspirative në rajon.

Shqiptarët kanë përqindjen më të lartë në rajon të atyre që mendojnë se koronavirusi doli nga një laborator në Wuhan, përqindjen më të lartë të atyre që mendojnë se virusin e ka fabrikuar në formë arme ushtria amerikane, përqindjen më të lartë të atyre që mendojnë se virusi ka lidhje me rrjetin 5G. Të gjitha këto norma i afrohen thuajse 50% të popullsisë. Madje, 43.7% e shqiptarëve mendojnë se Bill Gates po e përdor virusin për të futur një çip në trupin e njerëzve nëpërmjet vaksinës, ndërkohë që 64.9% e shqiptarëve mendojnë se qeveria kineze e ka prodhuar virusin në laborator. /scan