Veseli flet për dorëheqjen e Haradinajt: Koalicioni u ndërtua për të marrë vendime të mëdha

“Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës njëherësh kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës e cila ka qenë pjesë e Qeverisë, Kadri Veseli pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj ka thënë se koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në reagimin e tij në Facebook ai tha se lajmin për thirrjen e Haradinajt nga Gjykata Speciale e ka mësuar me keqardhje, teksa tha se UÇK-ja ka qenë e pastër dhe e drejtë.

“Koalicioni qeveritar u ndërtua për të marrë vendime të mëdha për Kosovën dhe për t’i mbrojtur vlerat e UÇK-së. Të gjitha veprimet dhe vendimet tona do të jenë vetëm në shërbim të interesave më të mira të Kosovës dhe qytetarëve tanë, si dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, shkroi Veseli.

Më herët pas dorëheqjes së parevokueshme të kryeministrit të Kosovës, Haradinaj ka reaguar edhe presidenti Thaçi i cili tha se tani e tutje do të veprojë në bazë të kompetencave kushtetuese e ligjore. Por, për dorëheqjen e tij reaguan edhe partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës e Vetëvendosje, të cilat thanë se zgjedhjet e reja janë të domosdoshme.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, qeveria aktuale do të administrojë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat siç parashikohet në kushtetutën e vendit brenda 10 ditëve duhet të shpallen nga presidenti Thaçi dhe duhet të mbahen më së voni 45 ditë pas shpalljes.