Vendet e pasura së shpejti do të kenë mbi 1 miliardë doza vaksine të tepërta

Vendet e pasura po përballen me një presion në rritje për të shpërndarë furnizimet e vaksinës COVID-19 në rajone me të ardhura më të ulëta, pas studimit të një analize të re që tregon se ka të ngjarë që këto vende të kenë në dispozicion rreth 1.2 miliardë doza të tepërta deri në fund të vitit.

SHBA-ja, Britania e Madhe, kombet europiane dhe vende të tjera të pasura, mund të plotësojnë dhe të tejkalojnë nevojat e tyre për vaksinim, duke përparuar edhe me programet për dozat e treta përforcuese. Si rrjedhojë, këto vende kanë sasi të mëdha për të rishpërndarë furnizimet e tyre globalisht, sipas firmës analitike me qendër në Londër, Airfinity Ltd.

Qeveritë e këtyre vendeve deri tani kanë shpërndarë një sasi të vogël të furnizimeve që u kanë premtuar vendeve më të varfra, dhe tani po përparojnë me planet për dozat përforcuese në garën për të luftuar variantin Delta. Mjekët shqetësohen se ritmi i ngadaltë i vaksinimit do të zgjasë pandeminë dhe do të rrisë rrezikun që të shfaqen variante më shqetësuese. Disa po bëjnë gjithashtu thirrje për më shumë transparencë në marrëveshjet midis qeverive dhe prodhuesve të vaksinave.

“Duhet të ketë një llogaridhënie urgjente globale,” tha Fatima Hassan, themeluese dhe drejtoreshë e Iniciativës për Drejtësi Shëndetësore, një organizatë jofitimprurëse në Cape Town. “Ne duhet të dërgojmë dozat tek vendet në nevojë dhe të bëjmë transparente të gjitha kontratat.”

“Ndarje e rreme”

Një studim i pavarur mbi COVID-19 në fillim të këtij viti, u bëri thirrje kombeve me të ardhura të larta që të sigurojnë më shumë se 2 miliardë doza për rajonet më të varfra deri në mesin e vitit 2022. Nga më shumë se 1 miliardë doza që vendet e G7-ës dhe BE-ja kanë premtuar të dorëzojnë, janë shpërndarë më pak se 15%, sipas studimit të kompanisë Airfinity.

Vendet perëndimore kanë rreth 500 milionë doza në dispozicion për të shpërndarë, tregon analiza. Vaksina nga Pfizer dhe BioNTech përbën rreth 45% të dozave në dispozicion që mund të rishpërndahen, ndërsa ajo nga Moderna, përbën afërsisht një të katërtën e totalit, sipas Airfinity.

Shumë vende me të ardhura më të ulëta po mbështeten në Covax, një iniciativë e udhëhequr nga grupe të ndryshme, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që është krijuar për të siguruar qasje të vaksinave për çdo vend, por programi nuk ka arritur objektivat e tij.

Përpjekje e koordinuar

“Vendet me të ardhura të larta kanë porositur më shumë se dyfishin e dozave që u nevojiten për popullatat e tyre,” tregon studimi. “Tani është koha për të treguar solidaritet me ata që ende nuk kanë qenë në gjendje të vaksinojnë punonjësit e tyre të shëndetësisë dhe popullatat më të rrezikuara.”

Nuk bëhet fjalë vetëm për të pasur mjete për të blerë vaksina kundër COVID-19, tha Bech Hansen. Duhet të ketë një përpjekje më të koordinuar në nivel global për të lejuar vendet me furnizime të bollshme të shpërndajnë dhe të dhurojnë doza, tha ai. “SHBA-ja, Britania e Madhe dhe BE-ja duhet të mblidhen dhe të bien dakord për të gjetur një rrugë përpara.”/ Fortune