Shkolla “Dëshmorët e Lirisë” është rinovuar tërësisht dhe këtë të hënë do të presë nxënësit e saj në ambiente të reja,raporton Top Channel.
Kryebashkiaku u bëri thirrje drejtorëve të shkollave të Tiranës që të respektojnë kuotat dhe të mos bëjnë regjistrime të nxënësve që vijnë nga zona të tjera, duke theksuar se tashmë të gjitha shkollat ofrojnë kushte dhe standarde mësimdhënie të njëjta. “Ftesa jonë për drejtorët ka qenë: Respektoni maksimalisht kuotat! Duke pasur dëshirë për të mbushur shkollën dhe për të bërë ndonjë nder të vogël, me mbingarkesë, në fakt e rrënojnë cilësinë e arsimit për gjithë të tjerët. Duhet ta kemi të gjithë parasysh këtë dhe ta respektojmë si rregull të Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se me ndërtimet e shkollave të reja që do të hapen këtë vit, por edhe me shtimin e klasave në një sërë shkollash të tjera ekzistuese, për disa zona të Tiranës eliminohet mësimi me dy turne.