Vazhdojnë punimet përgatitore për Samitin e Sirisë në Stamboll

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) bëri të ditur se për qytetin e Idlibit në Siri, mendimi i përbashkët i të gjithëve është se zgjidhja nuk duhet të jetë ushtarake por politike.

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) bëri të ditur se për qytetin e Idlibit në Siri, mendimi i përbashkët i të gjithëve është se zgjidhja nuk duhet të jetë ushtarake por politike.

Kallën, në deklaratën e bërë të premten në Zyrën e Presidencës në Dollmabahçe, pas mbledhjes përgatitore për samitin katërsh me temë Sirinë, ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e Turqisë, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë, ndër të tjera tha: “Vazhdon të qëndrojë ndjeshmëria e Idlibit. Faktikisht në këtë çështje ka një konsensus. Ka një konsensus të përgjithshëm që një sulm që mund të bëhet veçanërisht në Idlib, do të lindë rezultate shumë të rënda dhe do të shkaktojë edhe një krizë njerëzore, edhe një valë të re emigracioni si dhe do të minojë proceset politike, që vazhdojnë ende”.

Ai tha se është e rëndësishme të izolohen rreziqet e sigurisë, që janë shfaqur në vende të caktuara të Idlibit dhe shtoi: “Turqia është shprehur se është e gatshme të bëjë atë që i takon. Ndërkaq vazhdojnë edhe bisedimet në nivel delegacionesh teknike me rusët. Sigurisht që një valë e re emigracioni nuk do të jetë vetëm barrë e Turqisë. Kjo mund të shkaktojë daljen në shesh të krizave të reja që zgjaten deri në Evropë. Si rrjedhojë këtë nuk e dëshiron askush. Por për këtë duhet të zhvillohen mekanizma që të parandalojnë këtë gjë. Si rrjedhojë, në mbledhje shqyrtuam gjerësisht këtë çështje”.

“Në fazat në vijim do të diskutohet edhe çështja e kthimit të refugjatëve dhe rindërtimi i Sirisë por për momentin, ndërkohë që aktualisht vazhdojnë përleshjet dhe nuk është vënë ende në jetë procesi i zgjidhjes politike, përgjithësisht mendohet se për këto është ende herët” tha Zëdhënësi Kallën.

Ai bëri të ditur gjithashtu se Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) ditën e hënë do të shkojë në Rusi për t’u takuar me homologun e tij rus Vladimir Putin./TRT