Vazhdojnë paqartësitë, Brexit nxeh politikën britanike

Kush mendoi se Brexit do e ketë më të lëmuar rrugën pas ndryshimit të kuajve në karrocën qeveritare britanike, do duhet të mendohet sërish.

Shumë pak gjëra kanë ndryshuar, përveç angazhimit publik të kryeministrit të ri Boris Johnson, se qeveria e tij do e nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian me ose pa marrëveshje ditën e Halloween-it.

Në një letër dërguar administratës publike, Shefi i Ekzekutivit u kërkon atyre që Brexitin dhe përgatitjet për daljen pa marrëveshje ta kenë “prioritetin kryesor”.

Ndërkohë udhëheqësi i opozitës Jeremy Corbyn, kërkon që kjo administratë shtetërore “të pengojë një dalje të Britanisë me 31 tetor pa arritur marrëveshje”.

Gjithçka ndodh në kohen kur spekullimet janë shtuar se deputetët britanikë që rrëzuan marrëveshjen e Theresa May me Brukselin, do të mbështesin një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit të ri Boris Johnson me t’u rikthyer në seancën e re të parlamentit më 3 shtator, me qellim që të pengojnë turravrapin e kryeministrit të ri për ta nxjerr Britaninë nga BE-ja pa marrëveshje, ç’ka në vetvete do të çonte në thirrjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Boris Johnson ka një shumicë vetëm prej një vote më shumë në Parlamentin aktual. Në secilin skenar që mund të aplikohet, Londra do duhet të pyes serish Brukselin për të shtyrë për më vonë se 31 tetori, Brexitin, ku vendimi mbetet përsëri në duart e 27 liderëve të Unionit.

Kur kane ngelur 82 ditë nga nata e frikshme e Hallowenit, mbetet të shihet nëse kjo retorike është poker në distancë mes Londrës dhe Brukselit apo Britania dhe Bashkimi Evropian do ndryshojnë gjuhën diplomatike dhe politike si dhe qasjen ndaj një ngjarje ku të dyja palët janë të humbura.