Vatikani dënon abuzimin e fëmijëve në kishat amerikane

"Vatikani dënon në mëyrë kategorike abuzimin seksual të fëmijëve", u shpreh një zyrtar i Vatikanit, pas daljes në pah të skandalit të abuzimit të mbi një mijë fëmijëve nga priftërinjtë katolikë në SHBA

Vatikani dënon në mëyrë kategorike abuzimin seksual të fëmijëve, njoftoi drejtori i zyrës për shtyp të Vatikanit, Greg Burke, lidhur me daljen në pah të abuzimit seksual të më shumë se një mijë fëmijëve nga priftërinjtë katolikë në Pensilvani të SHBA-ve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në lidhje me raportin e ndarë me opinioni publik në Pensilvani ka vetëm dy fjalë me të cilat mund të shprehen ndjenjat përballë këtyre krimeve të tmerrshme: turp dhe keqardhje”, është shprehur Burke në një deklaratë me shkrim.

“Vatikani dënon në mëyrë kategorike abuzimin seksual të fëmijëve. Gjetjet në raport janë krim dhe nga ana morale ato duhet të dënohen. Sjellje të tilla janë tradhëti ndaj sigurisë së viktimave duke i privuar ato nga dinjiteti dhe besimi”, ka shtuar Burke, duke vënë theksin se Vatikani e ka shqyrtuar me seriozitet të madh raportin e punimeve të jurisë në Pensilvani.

Duke theksuar se kisha duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe se duhet të japin llogari abuzuesit dhe personat që heshtin ndaj këtyre ngjarjeve, Burke ka tërhequr vëmendjen se shumica e abuzimeve të përmendura në raport kanë ndodhur që para fillimit të viteve 2000.

Po ashtu, Burke ka bërë të ditur se pas vitit 2002, pothuajse nuk ka pasur aspak raste dhe se abuzimi i priftërinjve kundrejt fëmijëve ka rënë në mënyrë drastike pas reformave të kishës në SHBA.

Sipas Burke, Papa Françesku ka theksuar se edhe te kisha, edhe tek i gjithë komuniteti duhet të jepet çdo përpjekje për formimin e mjediseve të sigurta për fëmijët dhe të rriturit e pambrojtur.

Papa ndodhet pranë vitkimave dhe kisha dëshiron t’i dëgjojë ata për të çrrënjosur këtë tmerr tragjik që ka shkatërruar jetën e personave të pafajshëm, ka shtuar gjithashtu Burke.

Më shumë se një mijë fëmijë të abuzuar seksualisht

Kryeprokurori i Pensilvanisë në SHBA, Josh Shapiro, pas një hetimi dyvjeçar doli me deklaratë për arritjen e një gjetjeje se abuzimet seksuale kundjret fëmijëve janë fshehur “sistematikisht” nga klerikë të lartë të kishës në Pensilvani dhe Vatikan.

Ndërkaq, juria hetuese ka theksuar se mbi 300 priftërinj kanë abuzuar me fëmijët që nga mesi i viteve 1950, duke akuzuar qindra priftërinj të kishës katolike romake për abuzim me më shumë se një mijë fëmijë.

Duke tërhequr vëmendjen se shumica e viktimave të abuzuar kanë qenë fëmijë meshkuj, Juria njoftoi se kanë hasur raste të abuzimeve nga më të ndryshmet, përfshirë edhe përdhunimet.