Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor është prioritet kyç për Bashkimin Evropian (BE) dhe se interes strategjik i komisionit që drejton ai është ta afrojnë rajonin me bllokun evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, eurokomisari Varhelyi tha se viti 2020 ishte vit historik dhe i pritur gjatë kohë për Maqedoninë e Veriut, gjendje e cila, sipas tij, u ndërtua me “vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë” e vet vendit për të përparuar në rrugën drejt BE-së.
“Ballkani Perëndimor është prioritet kyç për BE-në dhe veçanërisht për këtë komision (për fqinjësi dhe zgjerim). E ardhmja e gjithë rajonit është në BE dhe në interesin tonë strategjik është ta afrojmë rajonin drejt BE-së, ashtu siç është edhe në interesin tuaj të bashkoheni me BE-në”, deklaroi Varhelyi.
Me këtë mënyrë të të menduarit, tha Varhelyi, komisioni që drejton ai në vitin 2020 ka punuar në tre drejtime kryesore për Ballkanin Perëndimor, respektivisht në ri-intensifikimin e procesit të zgjerimit, hapjen e negoaciatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe në përshpejtimin e korvengjencës ekonomike të rajonit me BE-në.
“Përsa i përket dy synimeve të para, ne këtë vit tashmë kemi marrë numër të madh të hapave dhe vendime. E tejkaluam qorrsokakun në Këshill për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, falë një metodologjie të rishikuar të zgjerimit. Komisioni tashmë ka propozuar korniza të negociatave dhe po zhvillohen diskutimet në Këshill”, tha Varhelyi.
Ai shprehu bindje se së shpejti, pasi vendet anëtare të BE-së të bien dakord për kornizat e negociatave, do të mund të thirren konferencat e para ndër-qeveritare për fillimin zyrtar të negociatave.
Përsa i përket korvengjencave ekonomike, Varhelyi theksoi se pasojat e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) këtë çështje e bën edhe më sfiduese, por shtoi se BE-ja investoi hapat e saj fillimisht për të siguruar ndihmën urgjente të rëndësishme dhe më pas për të përforcuar ekonominë e rajonit.
Lidhur me këtë çështje, eurokomisari njoftoi një plan ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej nëntë miliardë euro, i cili sipas eurokomisarit do të ndihmojë në aspektin ekonomik që në kohë më të shpejtë rajoni t’i bashkohet BE-së. Ky plan përfshin fushat kyçe me rëndësi thelbësore, të tilla si transporti, energjia, mjedisi, dixhitalizimi, sektori privat dhe të rinjtë.
Eurokomisari Varhelyi, i cili qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, më herët u prit në takim nga kryeministri Zoran Zaev, pas çka në një konferencë për media afirmuan se vendi ka arritur një nivel të lartë të pajtueshmërisë me legjislacionin evropian, si dhe rekomanduan zbatimin dhe dhënien e rezultateve edhe më të mëdha.
Më vonë, Varhelyi do të zhvillojë një darkë pune me presidentin Stevo Pendarovski, si dhe pritet të takohet me kreun e opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Miskoski. Vizita e tij në Shkup vjen një ditë pas publikimit të raporit vjetor të procesit të reformave të vendit në Bruksel, ndërsa ndalesa e dytë e turneut të tij rajonal është Shqipëria.
Komisioni Evropian mbrëmë publikoi dy dokumente për axhendën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, respektivisht paketën vjetore për zgjerim që përfshin raportin vjetor të procesit të aderimit të vendeve në BE, si dhe paketën investuese-ekonomike për Ballkanin Perëndimor.