Rafah është pikëkalimi kryesor për hyrje dhe dalje nga Gaza që nuk është në kufi me Izraelin.
Ai është bërë fokusi kryesor për të dërguar ndihma në Gazë qëkur Izraeli e rrethoi plotësisht këtë enklavë si përgjigje hakmarrëse ndaj sulmeve nga militantët e Hamasit në qytetet e Izraelit jugor më 7 tetor.
Shtetet e Bashkuara po iu prijnë bisedimeve me Izraelin, Egjiptin dhe OKB-në në përpjekje për ta krijuar një mekanizëm të qëndrueshëm të furnizimit me ndihma në Gazë.
Derisa është lejuar furnizimi i kufizuar me ushqim, ujë dhe ilaçe prej të shtunës së kaluar, asnjë pikë karburant nuk është futur në Gazë deri tani.
Izraeli shqetësohet se karburanti mund të bjerë në duart e militantëve të Hamasit dhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, i përshkroi shqetësimet e Izraelit si të arsyeshme.
“Por ne ende besoj, në përgjithësi, se karburanti duhet t’u dërgohet njerëzve në Gazë”, tha Kirby.
Zyrtari i lartë i OKB-së, Lynn Hastings, tha të martën në Këshillin e Sigurimit se Kombet e Bashkuara i kanë 400.000 litra karburant në cisterna në Egjipt, të cilat janë të gatshme për të dërguar karburant për dy apo dy ditë e gjysmë.
Megjithatë, zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, e akuzoi të martën Hamasin se po vjedh karburant nga UNRWA.
“Karburanti nuk do të futet në Gazë. Hamasi e merr atë për infrastrukturë ushtarake”, tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të martën se, përveç spitaleve që u detyruan të mbylleshin për shkak të dëmtimit dhe sulmeve, “gjashtë spitale në Rripin e Gazës janë mbyllur tashmë për shkak të mungesës së karburantit”.