Uruguai fiton në fund, mungesa e Salah penalizon Egjiptin

Uruguai feston në fund, Egjipti bie pa Salah

Muhamed Salah nuk ia doli të zbresë në fushë, ndërsa Egjipti i tij rezistoi deri në minutën e 90’ ndaj Uruguait, për t’u mposhtur pastaj 1-0, falë një goli të shënuar nga Gimenez.

Pjesa e parë nisi me Egjiptin më të qartë, pasi skuadra e Hector Cuper ishte vendosur mirë në fushë dhe qarkullonte mirë topin, por nuk arriti të krijojë rrezik real në portën e Uruguait. Me kalimin e minutave, skuadra uruguaiane filloi të marrë terrenin dhe të krijojë raste, duke shtuar presionin në mënyrë konstante.

Në fillim ka qenë Cavani që ka kërkuar golin me një goditje të bukur nga jashtë zone, me topin që dukej se do të përfundonte në rrjetë, por që është devijuar në goditje këndore nga një ndërhyrje e mbrojtjes egjiptiane në momentin e fundit.

Një minutë më vonë, Suarez ka shpërdoruar një rast të pastër me portën e boshatisur. Ylli i Barcelona-s ka qenë protagonist edhe në fillimin e pjesës së dytë, kur nuk ka arritur të shënojë, pavarësisht se ka qenë i vetëm përballë portieri El Shenawy.

Kundërpërgjigja e egjiptianëve ka ardhur në minutën e 72-të, me një goditje të bukur të Fathy nga distanca, me Muslera që e ka neutralizuar me një pritje po aq të bukur. Dy minuta më pas, Suarez ka shpërdoruar rastin e tretë për të shënuar, edhe pse është ndodhur përsëri i vetëm përballë portierit.

Shtatë minuta para fundit të takimit ka qenë përsëri portieri El Shenawy i ka mohuar golin Cavani-t me një tjetër pritje të jashtëzakonshme. Në të 88-ën ka qenë fati që ka ndihmuar afrikanët, me goditjen e dënimit të Cavani-t që është ndalur nga shtylla. Një fat i keq që është transformuar në minutën e 90-të të takimit, kur qendërmbrojtësi Gimenez ka dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë.

Pas këtij rezultati, Grupi A kryesohet nga Rusia dhe Uruguai, me nga 3 pikë, ndërsa Arabia Saudite dhe Egjipti mbeten me zero pikë. Në ndeshjet e dyta, Egjipti do të ndeshet me Rusinë, ndërsa Uruguai do të luajë kundër Arabisë Saudite.