UNMIK reagon për ndalimin e punonjësve të OKB-së

"Ftoj të gjitha palët t’i respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit të të gjithëve për jetë dhe liri dhe të ndihmojnë në rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë në atë rajon”, tha shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm i UNMIK-ut dhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Zahir Tanin, ka reaguar lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës dhe ndalimin e punonjësve të OKB-së nga Policia e Kosovës të martën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet një komunikate për media, UNMIK thotë se po i përcjellin me shqetësim të thellë zhvillimet në veri të Kosovës, përfshirë ndalimin e dy punonjësve të OKB-së, të cilët më vonë janë dërguar në spital për trajtim të lëndimeve.

“Jemi në përcaktim të rrethanave të sakta, në koordinim të ngushtë me të gjitha agjencitë ndërkombëtare në terren”, ka thënë Tanin, thuhet në komunikatë.

Tanin ftoi për lirim të menjëhershëm të punonjësve të OKB-së, duke shtuar se “çfarëdo dëmi shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”.

“Ftoj të gjitha palët t’i respektojnë parimet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit të të gjithëve për jetë dhe liri dhe të ndihmojnë në rivendosjen e qetësisë dhe sigurisë në atë rajon”, tha ai.

Në një konferencë të përbashkët mes Inspektoratit Policor të Kosovës, Prokurorisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj drejtor i përgjithshëm i policisë, pranoi se Policia e Kosovës në përpjekje të mënjanimit të barrikadave ka arrestuar edhe dy persona, zyrtarë të OKB-së, të cilët kanë qenë në një automjet të përfshirë në barrikadat që kanë penguar punën e policisë.