UNHCR: 6.6 milionë sirianë të shpërngulur gjatë luftës

Gazetari i AA-së nga burimet lokale mëson se forcat besnike të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe mbështetësit e tij marrin pasurinë të cilën e lënë civilët

Rreth 6.6 milionë sirianë janë shpërngulur gjatë luftës tetë vjeçare në këtë vend, ndërsa 5.6 milionë të tjerë kanë marrë statusin e refugjatit, tregojnë të dhënat e Komisionerit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR).

Gazetari i Anadolu Agency (AA) nga burimet lokale mëson se forcat besnike të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe mbështetësit e tij marrin pasurinë të cilën e lënë civilët.

Gjatë kohës së fundit u bëjnë thirrje sirianëve që të kthehen në vatrat e tyre, ndërsa nga ana tjetër u konfiskojnë pasurinë, i sulmojnë dhe i plaçkitin me qëllim të parandalimit të kthimit të civilëve.

Këto metoda të pushtetit të regjimit dhe përkrahësve kryesisht i përdorin në Damask, Halep, Homs dhe Hama.

Raporti i Human Rights Watch (HRW) i 16 tetorit, duke përdorur imazhe satelitore, theksoi se imazhet e marra nga prona e shkatërruar mund të shihen në Kabun, Damask, dhe se asnjë kompensim apo zgjidhje për shtëpitë e tyre nuk u ofrohet civilëve.

Gazetari Yusuf Bustani, i cili me vite ka punuar në terren në këtë zonë deklaroi për AA se “Ushtria e Assadit në fakt është ushtri plaçkitësish”.

“Pasi dolëm nga Guta Lindore, ata që mbetën atje deklaruan se janë plaçkitur shtëpitë e banorëve të evakuar. Forcat e regjimit plaçkitin të gjitha shtëpitë në të cilat nuk ka civilë”, sqaroi ai.

Ai theksoi se forcat e regjimit i burgosin ata që vendosin të kthehen në Gutën Lindore ose i detyrojnë t’i bashkohen ushtrisë.