UEFA zgjedh Kukësin në vend të Skënderbeut për Championsin

Teksa ekipi i Skënderbeut mbetet ende në pritje për vendimin e CAS-it, sa i përket fatit të këtij ekipi në lidhje me Europën, nga ana tjetër UEFA nuk ka asnjë dyshim.

Vetëm pak minuta më parë ajo ka publikuar skuadrat shqiptare që do të luajnë në Europë dhe mes tyre nuk përfshihet Skënderbeu. Teksa duhen edhe 9 ditë për hedhjen e shortet për të dy kompeticionet Europa, qeveria e futbollit europian nuk ka pritur më tepër duke dhënë versionin e saj për ekipet që do të hidhen në short me njëra-tjetrën.

Sipas faqes zyrtare të qeverisë së futbollit europian, skuadra e renditur e dyta në Kategorinë Superiore do të jetë në turneun elitar kontinental.

Burime nga Skënderbeu bëjnë të ditur se ende nuk ka një vendim zyrtar nga CAS-i në lidhje me dënimin e skuadrës korçare për shkak të rolit të saj në trukime.

Nga ana tjetër Partizani konfirmohet në “Europa League”, së bashku me Laçin dhe Luftëtarin, ndërsa Kukësi do të luajë në “Champions League”.

Sipas klubit kampion të Shqipërisë, UEFA nuk do të vendosë ekipin shqiptar pjesëmarrës pa pritur verdiktin e CAS-it në ditët në vijim.