Në datat 23-24 shtator 2020, në kuadër të Iniciativës të SEDM, i cili kryesohet nga Shqipëria, në Ministrinë e Mbrojtjes në Tiranë, u zhvillua nëpërmjet video-konferencës, Takimi i 43-të i Komitetit Koordinues të Ministerialit të Mbrojtjes së Evropës Juglindore (SEDM-CC) dhe Takimi i 44-të i Komitetit Drejtues Politiko – Ushtarak/Forcës Paqeruajtëse Shumëkombëshe të Evropës Juglindore (PMSC/MPFSEE).
Takimet u realizuan nëpërmjet video-konferencës me mbështetjen e portalit të SEDM si rezultat i situatës të pandemisë të COVID-19.
Përfaqësues nga 13 vende anëtare të SEDM, komandanti i Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG) si dhe vëzhgues nga NATO IS, UNDP SEESAC, RCC dhe RACVIAC, morën pjesë në këto takime, që u drejtuan nga zëvendësministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Petro Koçi, njëkohësisht kryetar i Sekretariatit të SEDM-CC/PMSC.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi theksoi në fjalën e tij se Iniciativa e SEDM ka treguar në gjithë këto vite se është një proces i shkëlqyer për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe dialogut të përbashkët në fushën e sfidave ndaj sigurisë. Detyra jonë është që bashkërisht nëpërmjet këtij procesi të kontribuojmë në të mirë të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Në Takim e SEDM-CC u diskutuan projektet në kuadër të SEDM-it dhe pjesëmarrësit përshëndetën zhvillimin dhe përparimin e tyre, respektivisht ndërlidhjen e spitaleve ushtarake (Interconnection of Military Hospitals Project), promovimin e lidereve gra në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë (Female Leaders in Security and Defense -FLSD) në mbështetje të implementimit të rezolutës të UNSCR 1325, promovimin e institucioneve transparente në vënien në zbatim të principeve të transparencës dhe integritetit (Building Integrity) si dhe në zhvillimin e mëtejshëm të Portalit të SEDM (SEDM Portal).
Nga ana tjetër, Forcat Speciale Shqiptare me aftësitë e treguara krah kolegëve të tyre nga Turqia, Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, dhe Rumania morën pjesë në stërvitjen “Carpathian Eagle 20”.
Në rajonin stërvitor në Cincu të Rumanisë, trupat elitë të 7 vendeve demonstruan dhe përmirësuan përgatitjen e tyre në qitje, luftimin në qendrat e banuara, desantim nga ajri (hedhje me litar dhe parashutë) shëndetësi dhe xhenio.