“U arrestuar për vjedhjen e një biçiklete dhe vdiq në komisariat”, Avenir Peka: Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia! Duhet rikthyer testi i drogës për të gjithë efektivët

Avenir Peka ka deklaruar se një i ri ka humbur jetën në duart e policisë, ngjarje kjo e përsëritur sipas tij.

Ai tha se 38-vjeçari Renalto Tahiri, i ndaluar për vjedhjen e një biçiklete nga shërbimet e policisë së Komisariatit nr 3, ka ndërruar jetë në rrethana të cilat ende të paqarta në ambientet e Burgut 302 në Tiranë, ndërsa ngjarja është mbajtur e fshehtë nga autoritetet për të paktën 48 orë.

Deklarata e plotë:

Një i ri tjetër vdes në duart e policisë. 38 vjeçari Renalto Tahiri, i ndaluar për vjedhjen e një biçiklete nga shërbimet e policisë së Komisariatit nr 3, ka ndërruar jetë në rrethana të cilat ende të paqarta në ambientet e Burgut 302 në Tiranë.

Familjarët e të ndjerit, jo vetëm nuk janë lejuar ta takojnë në ambientet e paraburgimit, por pretendojnë se nuk janë njoftuar për vdekjen e tij për më shumë se 48 orë. Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga Policia e Shtetit dhe mediat janë njoftuar për vdekjen e 38 vjeçarit vetëm nga familjarët e tij.

Fati i Renalto Tahirit i bashkohet atij të disa të rinjve të cilët kanë ndërruar jetë në rrethana të paqarta në ambientet e policisë, ose kanë vdekur si viktima të dhunës ne duart e Policisë. Vetëm pak muaj më parë, Laer Kurti ndërroi jetë i dhunuar në furgonin e policisë nga efektive të të njëjtit komisariat.

E njëjta sjellje u ekspozua edhe në rastin e tij: përpjekje për ta fshehur të vërtetën dhe për të mjegulluar faktet. Me të vetmin qëllim, largimin e përgjegjësisë dhe trajtimin e jetëve shqiptare si të ishin trupa pushtuese.

Ende të pambyllura janë plagët e humbjes së jetëve të dëshmorëve të tjerë të abuzivitetit dhe arrogancës policore, të rinj që u vranë dhe u cnderuan pas vdekjes, duke u ngarkuar barrë dhe epitete që nuk i meritonin dhe as i kishin.

I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencë për rrethanat e ngjarjes dhe Prokurorisë të nisë sa më parë hetimin e plotë.

Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit Reanalto dhe gjendet pranë tyre në këtë dhimbje.

Ne shprehim mbështetje për efektivat e ndershëm dhe profesionistë te Policisë së Shtetit, dhe i bën thirrje drejtuesve të saj të shkëputen nga kontrolli politik i partisë në pushtet, të luftojnë kulturën e dhunës dhe pandërshkueshmerisë në radhët e bluve.

Një thirrje edhe Ministrisë së Brendshme dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të riktheje testin e drogës për të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit.