Ministri i Thesarit dhe Financave të Turqisë, Berat Albayrak, premtoi të martën një “luftë totale” kundër inflacionit duke zbuluar programin me një sërë masash të reja për të luftuar këtë fenomen.
“Ky program do të rrisë besimin e investitorëve”, deklaroi Berat Albayrak gjatë mbledhjes së organizuar në Qendrën e Kongreseve të Stambollit, ku ai bëri publik Programin e Luftës Totale me Inflacionin.
Sipas programit – tha Albayrak – nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe të gazit natyror deri në fund të vitit dhe qeveria do të mbështesë bizneset për të parandaluar shkurtimet.
“Bankat tona do të bëjnë një zbritje prej 10 për qind në kreditë me interes të lartë që janë dhënë pas datës 1 gusht”, shtoi ai duke sqaruar se firmat turke që marrin pjesë në Programin e Luftës së Gjithanshme me Inflacionin, do të kenë një zbritje minimale prej 10 për qind deri në fund të këtij viti.
Shefi i Thesarit dhe Financave të Turqisë paralajmëroi se kompanitë që përpiqen të rrisin fitimet në rrethanat e tanishme do të shkaktojnë humbje më të mëdha në një të ardhme të afërt.
Albayrak vuri në pah se kanë punuar mbi një program që do të rrisë edhe më shumë besimin e investitorëve, do të ulë kostot e të hyrave, do të shmangë dëmet e kompanive nga luhatja e çmimeve dhe s’do të rrisë nivelin e papunësisë.
Duke vlerësuar gjithashtu zhvillimet në ekonominë turke, ministri potencoi se janë sprapsur sulmet spekulative pas muajit gusht dhe shtator.
Inflacioni vjetor i Turqisë arriti në 24,52 për qind në shtator të këtij viti, nga 17,90 për qind që ishte në gusht, sipas autoritetit statistikor të vendit (TUIK).
Gjatë pesë viteve të fundit, inflacioni vjetor ka shënuar nivelin më të ulët në prill 2013 me 6,13 për qind, ndërsa niveli më i lartë u regjistrua këtë shtator.
Siç është përmendur në programin e ri ekonomik të Turqisë, njoftuar muajin e kaluar, objektivi i normës së inflacionit të vendit është 20,8 për qind këtë vit, 15,9 për qind vitin e ardhshëm, 9,8 për qind në 2020-n dhe 6 për qind në vitin 2021./TRR