Turqia vazhdon mbështetjen për shëndetësinë në Shqipëri

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar për sektorin shëndetësor në Shqipëri, konkretisht për shërbimin e urgjencës pesë autoambulanca

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri, ndërsa projekti i fundit është ai i dhurimit të autoambulancave, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA ka dhuruar për sektorin shëndetësor në Shqipëri, konkretisht për shërbimin e urgjencës pesë autoambulanca me pajisje moderne të shërbimit.

Në ceremoninë e dorëzimit të tyre ishin të pranishëm ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, nënkryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore të Shqipërisë.

Ministrja Manastirliu gjatë fjalës në aktivitet tha se mbështetja e TIKA-s në Shqipëri ka qenë shumë dimensionale dhe në shumë sektorë.

“Shëndeti është kryesori dhe ne jemi shumë falënderues kur bëhet fjalë për mbështetje direkte që Qeveria e Turqisë dhe TIKA kanë ofruar për shëndetësinë në Shqipëri. Fokusi i Qeverisë shqiptare ka qenë fuqizimi dhe modernizmi i këtij shërbimi. Janë 32 autoambulanca të reja të cilat i janë shtuar flotës së autoambulancave në të gjithë Shqipërinë. Edhe këto pesë autoambulanca të dhuruara nga TIKA do të jenë pjesë e flotës së autoambulancave në strukturën e urgjencës kombëtare të cilat do t’i shtohen këtij shërbimi në ato zona rurale të vendit ku ka nevojë për një shërbim shumë më të shpejt për sa i përket urgjencës”, theksoi ajo. ]

Manastirliu shtoi se “Do të doja të vlerësoja kontributin e TIKA-s, kontributin e Qeverisë së Turqisë për gjithë mbështetjen që na ka ofruar dhe do të vazhdojë jam e bindur të na ofrojë, duke shpresuar që projekte të tjera të mbështetjes në shëndetësi do të vazhdojnë”.

“Kemi realizuar mbi 500 projekte në Shqipëri” 

Nënkryetari i TIKA-s, Prof. Dr. Birol Çetin, gjatë fjalës në aktivitet theksoi se kanë realizuar shumë projekte në fushën e shëndetësisë në Shqipëri.

“Ne realizojmë gjithsej 2000 projekte në vit në më tepër se 100 shtete të botës, por Shqipëria ka një vend të veçantë sepse është një vend mik i jonë. Ne si popull turk, si shtet i Turqisë jemi gjithmonë të gatshëm për nevojat tuaja dhe do të vazhdojmë edhe më tutje. Sot fatkeqësisht në botë shumë probleme mundohen të zgjidhen me armë, ose luftëra, ndërkohë ne si Turqi mendojmë se zgjidhja është duke ndarë diçka me njëri-tjetrin dhe këtë duhet ua japim edhe brezave të rinj, kulturën e të ndarit me njerëzit e tjerë. Miqtë janë shumë të rëndësishëm për ne”, tha Çetin.

Çetin, në një prononcim për AA pas përfundimit të aktivitetit u shpreh se këtë vit festojnë 23-vjetorin e themelimit të zyrës së TIKA-s në Shqipëri dhe shtoi se kjo zyrë është zyra e parë në Ballkan.

“Kemi realizuar mbi 500 projekte në Shqipëri dhe më parë unë kam qenë me detyrë si koordinator i TIKA-s në Shqipëri për një periudhë 3 vjeçare dhe kam realizuar qindra projekte. Ndërkohe vetëm ne sektorin e shëndetësisë kemi realizuar mbi 50 projekte. Projekti i sigurimit të autoambulancave është shumë i rëndësishëm. Shpresoj që projekti i sigurimit të autoambulancave do të japë një kontribut të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri”, tha ai për AA.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, u shpreh gjatë aktivitetit se marrëdhëniet midis Turqisë dhe Shqipërisë gjithmonë kanë qenë në nivelin sa më të lartë dhe shtoi se arsyeja e këtyre marrëdhënieve është se dy popujt kanë jetuar së bashku me qindra vite.

“Këto marrëdhënie tona të mira me Shqipërinë vazhdojnë në një gamë të gjerë, dhe një nga sektorët më të rëndësishëm ku ne ushtrojmë aktivitetet është shëndetësia. Në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy shteteve çdo vit një numër pacientësh shqiptarë shkojnë në Turqi për të marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore. Si në sektorin e shëndetësisë po ashtu edhe në sektorë të tjerë ne si Turqi do të vazhdojmë të jemi afër me popullin shqiptar, me shtetin shqiptar, për gjitha nevojat që janë këtu”, tha ai.

Ambasadori Yörük theksoi më tej se “Uroj që këto pesë autoambulanca që janë siguruar nga TIKA të shërbejnë për shërimin e pacienteve, miqve tanë shqiptarë. Këto janë një dhuratë që vijnë direkt nga populli turk”.

TIKA që kur ka filluar aktivitetet e saj në Shqipëri, ka ofruar mbështetje dhe realizuar projekte në fusha të ndryshme si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.