Turqia thyen rekord, shënohet eksporti më i lartë vjetor në histori

"Edhe përkundër zhvillimeve negative në nivel global, eksporti ynë në vitin 2018 është rritur për 7,1 për qind duke shënuar 168,1 miliardë dollarë", ka thënë Pekcan

Ministrja e Tregtisë së Turqisë, Ruhsar Pekcan deklaroi se vendi i saj në vitin 2018 ka shënuar rritje të eksportit për 7,1 për qind duke shënuar 168,1 miliardë dollarë, që njëherësh është eksporti më i lartë vjetor në historinë e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Pekcan u takua në Ankara me kryetarin e Këshillit të Eksportuesve të Turqisë, Ismail Gülle dhe eksportuesit më të mëdhenj turq dhe me këtë rast shpalosi të dhënat rreth eksportit të Turqisë në vitin 2018.

“Edhe përkundër zhvillimeve negative në nivel global, eksporti ynë në vitin 2018 është rritur me 7,1 për qind duke shënuar 168,1 miliardë dollarë. Ajo që për ne është veçanarisht e rëndësishme është se ky është eksporti më i madh vjetor në historinë e Turqisë”, ka thënë Pekcan, duke shtuar se eksporti në krahasim me vitin 2017 është më i lartë për 11,1 miliardë dollarë.

Njëkohësisht ka pasur ulje të importit të mallrave në Turqi. Sipas Pekcan, importi është ulur për 4,6 për qind, kurse Turqia vitin që lamë pas ka importuar mallra në vlerë prej 223,1 miliardë dollarë.

“Mbulimi i importit nga eksporti në vitin 2018 është më i lartë për 8,2 për qind dhe shkon në 75,3 për qind”, ka thënë Pekcan.