Turqia siguron kufijtë me kamera dhe mure

Brenda 2-3 viteve të ardhshme, Turqia do të ketë një teknologji për monitorim të Detit Egje, atij Mesdhe dhe Detit të Zi, që përfshijnë kamera dhe radarë

 Kufijtë në lindje dhe jug të Turqisë do të kontrollohen me kamera, sensorë dhe mure, si një masë parandaluese kundër terrorizmit, trafikimit të drogës dhe migrimit të paligjshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Suleyman Soylu, në një ceremoni të hapjes së vitit akademik në krahinën Afyon, tha se të gjithë kufijtë lindorë dhe jugorë po mbyllen me kamera, mure dhe sensorë, në mënyrë që të parandalohen infiltrimet e terroristëve, trafikimet e drogës dhe migrimi i paligjshëm.

“Brenda 2-3 viteve të ardhshme, Turqia do të ketë një teknologji për monitorim të Detit Egje, atij Mesdhe dhe Detit të Zi, që përfshijnë kamera dhe radarë”, tha ai.

Me ndihmën e kompanisë banesore të Turqisë, TOKI dhe guvernatorëve të krahinave kufitare, Turqia më 9 qershor përfundoi ndërtimin e një muri betoni i cili shtrihet në 764 kilometra, përgjatë kufirit të saj me Sirinë, që është në kuadër të projektit për ndërtimin e një muri 826 kilometra të gjatë të sigurisë.

Soylu tha se terrorizmi mbështetej nga vendet evropiane, duke nënvizuar pajisjet, drogat dhe armët evropiane të konfiskuara gjatë operacioneve kundër terrorizmit në rajonet juglindore të Turqisë.

Turqia dhe Siria ndajnë një vijë kufitare prej 911 kilometrash.