Turqia shënon suficitin më të lartë historik të llogarisë rrjedhëse

Bilanci i llogarisë rrjedhëse të Turqisë në tetor shënoi një tepricë për muajin e tretë radhazi, njoftoi të hënën Banka Qendrore e vendit (TCMB)...

Bilanci i llogarisë rrjedhëse të Turqisë në tetor shënoi një tepricë për muajin e tretë radhazi, njoftoi të hënën Banka Qendrore e vendit (TCMB).

Në tetor, suficiti i llogarisë korrente të vendit arriti në 2,77 miliardë dollar, duke u përmirësuar nga një deficit prej 3,83 miliardë dollarësh në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas raportit të bilancit të pagesave të Bankës Qendrore të Turqisë. Ky është njëherësh edhe suficiti më i lartë historik sipas serisë së llogaritur nga viti 1992 e këtej.

Në gusht, bilanci shënoi një tepricë për herë të parë gjatë tre viteve të fundit me një suficit prej 2,59 miliardë dollarësh. Për të vijuar me një tjetër suficit prej 1,83 miliardë në muajin shtator.

Duke përjashtuar arin dhe energjinë, bilanci i llogarisë korrente regjistroi rreth 6,17 miliardë dollarë suficit në muajin tetor, kundrejt deficitit prej 466 milionë dollarësh të regjistruar në të njëjtin muaj të vitit 2017.

“Suficiti i llogarisë rrjedhëse u atribuohet kryesisht artikujve të mallrave që shënuan një suficit prej 799 milionë dollarësh në krahasim me deficitin prej 5,64 miliardë dollarësh të vërejtur në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, si dhe 447 milionë dollarëve rritje të flukseve hyrëse neto në artikujt e shërbimeve duke u realizuar në 3,03 miliardë dollarë”, bëri me dije Banka Qendrore e Turqisë.

Banka tha gjithashtu se deficiti 12-mujor i llogarisë korrente ka rënë në 39,4 miliardë dollarë deri në fund të tetorit.

Në vitin 2017, deficiti vjetor i llogarisë rrjedhëse të Turqisë ishte rreth 47,5 miliardë dollarë, gati 5,6 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) të vendit. Gjatë dy dekadave të fundit, deficiti më i lartë vjetor i llogarisë korrente në vend është regjistruar në vitin 2011, me 74,4 miliardë dollarë.

Programi i ri ekonomik i Turqisë, shpallur në muajin shtator, synon një raport deficit/PBB prej 4,7 për qind këtë vit, 3,3 për qind vitin e ardhshëm, 2,7 për qind në vitin 2020 dhe 2,6 për qind në vitin 2021./TRT