Turqia shënon 96-vjetorin e Ditës së Fitores

Dita e Fitores shënon betejën përfundimtare kundër forcave greke në Dumlupinar në vitin 1922 dhe i dedikohet forcave të armatosura turke

Turqia sot feston 96-vjetorin e Ditës së Fitores dhe Ditës së Forcave të Armatosura Turke, dita kur ushtarët turq arritën të triumfojnë në një betejë vendimtare ndaj forcave greke në Luftën për Pavarësi, raporton Anadolu Agency (AA).

Festa do të shënohet me evenimente dhe tubime nëpër qytete të ndryshme të vendit me pjesëmarrje të zyrtarëve shtetërorë.

Në kuadër të festimeve, presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan do të vizitojë Mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë.

Erdoğan po ashtu do të pranojë urime me rastin e festës në Kompleksin Presidencial në Ankara, ndërsa më tej do të marrë pjesë në një ceremoni diplomimi të shkollave ushtarake. Më pas, ai do të organizojë pritje solemne në presidencë.

Tubime organizohen edhe në sheshin Taksim të Stambollit.

Presidenti Erdoğan dje publikoi një mesazh me rastin e Festës së Fitores, duke thënë se Turqia është në prag të fitoreve dhe sukseseve të reja

Ndryshe, Dita e Fitores shënon betejën përfundimtare kundër forcave greke në Dumlupinar në vitin 1922 dhe i dedikohet forcave të armatosura turke.