“Turqia shënoi progres shumë të mirë në sigurinë e furnizimit të energjisë”

Në raportin e publikuar në kuadër të Pakos së Zgjerimit 2019 të Komisionit të BE-së, theksohet se në Turqi në fushat e sigurisë së furnizimit me energjinë, energji të rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë është shënuar progres i mirë

“Raporti i 2019 për Turqinë” i përgatitur nga Komisioni i Bashkimit Evropian (BE) thekson se Turqia ka shënuar “progres shumë të mirë” në sigurinë e furnizimit të energjisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në raportin e publikuar në kuadër të Pakos së Zgjerimit 2019 të Komisionit aktual të BE-së, mandati i të cilit do të përfundojë në tetor të këtij viti, është bërë e ditur se në Turqi në fushat e sigurisë së furnizimit me energjinë, energji të rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë është shënuar progres i mirë.

Turqia ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit është “pjesërisht e përgatitur”, thotë raporti, ku janë vlerësuar zhvillimet rreth rritjes në sigurinë e furnizimit me energji.

Në raport rikujtohet se pjesa e parë e projektit Trans Anatolian të gazit natyror (TANAP) ka përfunduar në qershor të vitit të kaluar, pjesa e gazsjellësit “Rrjedha Turke” në det ka përfunduar në nëntor të vitit të kaluar, duke shtuar se faza e dytë e cila do të mundësojë TANAP të lidhet me Evropën nëpërmjet gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) pritet të përfundojë në qershor të këtij viti.

Në aspektin e zbatimit të legjislacionit të BE-së në lidhje me rezervat e detyrueshme të naftës, sipas raportit, Turqia është në një nivel të avancuar.

– Sistemi i rrjetit elektrik është në përputhje me të BE-së

Raporti më tutje tregon se Turqia rrjetin elektrik e ka zhvilluar në përputhje me kodet e rrjetit të BE-së, ka inkurajuar integrimin e rrjetit, si dhe ka forcuar kapacitetin lidhës për rritjen e efikasitetit dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

Gjithashtu në vend, sipas raportit, është shënuar progres në çmimet e energjisë dhe të gazit në tregun e brendshëm të energjisë që janë transparent, të bazuara në kosto dhe jodiskriminuese.

– Aktivitetet kërkimore në Mesdheun Lindor

Ndërkaq në raport është pohuar se Turqia në aspektin e hidrokarbureve është në nivel të avancuar në kontekstin e pajtueshmërisë me legjislacionin evropian.

Në raport është rikujtuar se Turqia në fund të vitit 2018 ka filluar punimet për kërkim të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor, duke potencuar se “Turqia është duke zhvilluar punime kërkimore në zonën e ashtuquajtur ekskluzive ekonomike të Administratës Greke të Qipros dhe ka kërcënuar se do të zhvillojë punimet e saj të shpimit në rajon”

Më tej në raport është theksuar se progresi në fushat e energjisë së rinovueshme i Turqisë është në nivel të mirë.

Në raport gjithashtu është theksuar se stimujt e veçantë dhe kushtet vendore të kontributit në fushën e energjisë së rinovueshme kanë krijuar disa shqetësime sepse “ndikon qasjen e BE-së dhe kompanive tjera ndërkombëtare në tendera”.

– Progres në legjislacionin e efiçiencës së energjisë

Në fushën e efiçiencës së energjisë theksohet se është arritur një progres i mirë në aspektin e legjeve të miratuara, por në çështjen e zbatimit është shënuar progres i pjesshëm.

Raporti gjithashtu bën të ditur se në vitin 2018 Turqia ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencën e Energjisë, plan i cili megjithëse në masë të madhe është në përputhshmëri me legjislacionin e BE-së, duhet të rishikohet Ligji për efiçiencë të energjisë i vitit 2017 për të parandaluar përplasjet dhe për të marrë parasysh ndryshimet institucionale.

Në raport thuhet se në aspektin e energjisë nukleare, sigurisë nukleare dhe mbrojtjes nga rrezatimit është shënuar progres të pjesshëm dhe se vitin e kaluar në këtë drejtim është themeluar Autoriteti Rregullator Bërthamor. Rregullimet në fushat në fjalë nëse merret parasysh se vendi reaktorin e parë të energjisë bërthamore planifikon ta aktivizojë në vitin 2023, ka nevojë që me shpejtësi të mbështetet me rregullore shtesë të përputhshme me legjislacionin evropian.