Turqia, Rusia dhe Irani takohen para raundit të dhjetë të bisedimeve për Sirinë

Në Soçi të Rusisë, zyrtarë të tri vendeve janë takuar për të diskutuar në lidhje me detajet teknike të raundit të dhjetë të bisedimeve të paqes në Astana

Zyrtarë nga Turqia, Rusia dhe Irani janë duke mbajtur bisedime teknike në Soçi të Rusisë para raundit të dhjetë të bisedimeve të paqes për Sirinë në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, i cili është paraparë të mbahet më 31 korrik, raporton Anadolu Agency (AA).

Në bisedimet në Astana do të diskutohet situata e fundit në zonat e deeskalimit në Idlib të Sirisë, kthimi i refugjatëve, lirimi i të burgosurve dhe formimi i një komiteti që do të rishkruajë kushtetutën e Sirisë.

Zyrtarët e OKB-së dhe Jordania janë duke marrë pjesë në bisedimet e sotme si vëzhgues ndërkohë që SHBA sërish nuk dërgoi përfaqësues.

Grupi kryesor i opozitës siriane përfaqësohet nga Ahmed Tuma, ish-kryeministër i qeverisë së përkohëshme siriane, ndërsa regjimi nga Bashar Jaafari, përfaqësuesi i përhershëm i regjimit në OKB.

Gjatë raundit të nëntë të Astanës, të mbajtur më 14-15 maj, palët kishin rënë dakord të ruanin zonat e deeskalimit dhe regjimin e armëpushimit.

Megjithatë, forcat e Asadit dhe aleatët e tij morën kontrollin e zonave të deeskalimit në Homs, Dera dhe Kunejtra pas një ofensive të madhe.

Javën e kaluar, regjimi filloi të tubojë forcat në jugperëndim të Idlibit në përpjekje për të sulmuar Malin Turkmen, rajon malor në veriperëndim të Sirisë, i cili po ashtu është pjesë e zonave të deeskalimit.

Idlibi do të jetë çështje e rëndësishme gjatë takimit të ardhshëm në Astana, pasi delegacioni turk pritet të theksojë rëndësinë e ruajtjes së regjimit të armëpushimit në rajon.

Nga ana tjetër, Rusia për herë të parë pritet që gjatë takimit të aktualizojë çështjen e kthimit të refugjatëve dhe personave të zhvendosur.

Zyrtarë rusë kanë vizituar së fundmi Turqinë, Jordaninë dhe Libanin, vende këto që strehojnë numrin më të madh të refugjatëve të Sirisë.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, pritet të takohet me zyrtarët turq, rusë dhe iranianë për formimin e një komiteti kushtetues.

Regjimi dhe opozita i kanë dorëzuar secili de Misturas një listë prej 50 kandidatësh për t’i përfaqësuar ata në komitetin kushtetues.