Turqia reagon ndaj vendimit të Britanisë për mosekstradimin e anëtarëve të FETO-s

Reagimi i Turqisë erdhi pasi dje Gjykata Themelore në Westminster hodhi poshtë kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e Hamdi Akın İpek, Talip Büyük, Ali Çelik dhe Mustafa Yeşil

 Autoriteteve britanike u është komunikuar mesazhi se Turqia e cilëson si të papranueshëm vendimin për mosekstradimin e anëtarëve të organizatës terroriste FETO dhe ndihet e dëshpëruar nga ky vendim, tha Ministria e Jashtme turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Reagimi i Turqisë erdhi përmes një deklarate me shkrim nga zëdhënësi i ministrisë Hami Aksoy, pasi dje Gjykata Themelore në Westminster hodhi poshtë kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e Hamdi Akın İpek, Talip Büyük, Ali Çelik dhe Mustafa Yeşil.

Aksoy ka nënvizuar se arsyetimet e gjykatës janë të pabazuara dhe ka theksuar se personat e lartëpërmendur, që janë në mesin e anëtarëve të lartë të FETO-s, duhet ekstraduar sa më parë në Turqi.

“Autoriteteve britanike të kontaktuara u është komunikuar fuqishëm se vendimi është i papranueshëm dhe se ndiejmë dëshpërim nga ky vendim”, ka thënë Aksoy, duke potencuar se Turqia do të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet në këtë drejtim.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Westminster në shpalljen e vendimit tha se Hamdi Akın Ipek, ish-drejtor i Koza Holding, si dhe të pandehurit e tjerë, Talip Büyük, i dyshuar si i ashtuquajtur “imam” i grupit terrorist në Irak, drejtori i Bankës Asya, Ali Çelik, si dhe Mustafa Yeşil, nuk do të ekstradohen në Turqi, por aktgjykimi është i hapur për ankesë.

Turqia ka të drejtë të apelojë vendimin e gjykatës brenda 14 ditëve.

Ipek u arrestua në maj pas kërkesës së Turqisë për ekstradimin e tij me akuza lidhur me përpjekjen e grushtit të shtetit në Turqi më 15 korrik të vitit 2016.

Një gjykatë konfiskoi pasaportën e tij dhe e ndaloi atë të largohej nga Londra, por e liroi me një kusht prej 50.000 funtash, procedurë kjo e zakonshme në rastet e ekstradimit në Britani.

Ipek, i akuzuar për përpjekje për të përmbysur qeverinë e Turqisë dhe shkelje të Kushtetutës, mund të përballet me dënime të përjetshëm.

Ai gjithashtu mund të përballet me 132 vjet burg për krijim të një grupi të armatosur terrorist, spiunazh ushtarak dhe politik, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash në Turqi.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gülen, orkestruan tentativën për grusht shteti në korrik të vitit, nga e cila 251 persona ranë dëshmorë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n për zhvillimin e një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht ushtri, polici dhe gjyqësor.