Turqia reagon ndaj politikës që Greqia dhe vendet tjera zbatojnë ndaj emigrantëve

Aksoy i ka bërë thirrje Qeverisë së Greqisë që t'i japë fund praktikës për rikthimin e emigrantëve në mënyrën që është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, të mos përdorë armë kundër emigrantëve si dhe t'i japë fund trajtimit çnjerëzor ndaj tyre

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy ka deklaruar se “Politika zero për emigrantët” dhe injorimi i të drejtave të këtyre personave nga Greqia dhe vendet që ndodhen në destinacionin e rrugëve të migrimit nuk janë njerëzore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Aksoy i ka bërë thirrje Qeverisë së Greqisë që t’i japë fund praktikës për rikthimin e emigrantëve në mënyrën që është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, të mos përdorë armë kundër emigrantëve si dhe t’i japë fund trajtimit çnjerëzor ndaj tyre.

Ai në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes lidhur me deklaratën e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis ndaj Turqisë ka thënë: “Deklaratat që janë ‘për të ardhur keq dhe të pabaza’ të kryeministrit Mitsotakis janë shembulli i fundit i operacioneve perceptuese të cilat Greqia po përpiqet t’i kryejë duke ‘shtrembëruar të vërtetat’. Falë masave të marra nga Turqia, nga 850 mijë emigrantë të parregullt që kaluan në Evropë gjatë krizës së migrimit në vitin 2015, këto kalime janë pakësuar në 94 për qind”, tha Aksoy.

Më tej Aksoy shtoi se “Politika zero për emigrantët” dhe injorimi i drejtave të këtyre personave nga Greqia dhe vendet që ndodhen në destinacionin e rrugëve të migrimit nuk janë njerëzore. Sipas tij, vendet që vuajnë nga emigracioni dhe Greqia, më parë duhet të tregojnë përpjekje për të eliminuar arsyet që shkaktojnë migrimin në vendet e burimit.

Në vend të propagandës kundër, duhet bashkëpunim

Turqia strehon më shumë se 4 milionë persona të zhvendosur nga vendet e tyre, ka rikujtuar Aksoy duke tërhequr vëmendjen se bashkëbiseduesit grekë dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojnë se nuk është në “përputhje të drejtë” që Turqia të marrë përsipër e vetme barrën e migrimit i cili është një problem global.

Ai theksoi se pavarësisht se Mitsotakis nuk dëshiron “të shohë dhe t’ia dijë”, autoritetet greke po vazhdojnë të rikthejnë emigrantët e parregullt në kufi dhe se këta persona po përballen me trajtime çnjerëzore duke injoruar vlerat e Evropës.

Aksoy tha se e sheh të arsyeshme të rikujtojë se do të sjellë rezultate më efektive nëse Greqia në vend të propagandës kundër Turqisë, të zgjedhë rrugën për të bashkëpunuar me Turqinë në këtë çështje.