Turqia reagon ndaj deklaratave antiturke të kryediplomatit grek

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Tanju Bilgiç, reagoi ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, rreth Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Hedhim poshtë deklaratën e Greqisë, e cila të drejtën e vendit tonë për mbrojtje e karakterizon si kërcënim, por edhe përpjekjen që në këtë mënyrë të krijojë një perceptim jo real në këtë drejtim. Nëse ka kërcënim, atëherë ky kërcënimi vjen nga veprimet e njëanshme të Greqisë të cilat rrisin tensionet”, ka thënë Bilgiç.

Ai deklaratat e kryediplomatit grek i përshkroi si “diskurs provokues”, duke shtuar këto janë deklarata skajshmërisht populiste.

“Deklaratat antiturke të ministrit të Jashtëm grek, Dendias, të cilat janë pothuajse të përditshme janë shumë larg realitetit, dhe këto janë pretendime populiste të cilat në asnjë mënyrë nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit. Kjo retorikë porovokuese nuk është as në frymën e fqinjësisë së mirë e as në përputhje me frymën e bisedimeve konsultative të cilat i kemi rifilluar me Greqinë”, theksoi Bilgiç.

Ai shtoi se Dendias tregon hapur se preferon tensionin në vend të dialogut.

“Këto keqinterpretime të Dendias, në vend që të zgjidhin çështjet dypalëshe të Greqisë dhe të zhvillojnë marrëdhëniet me vendin tonë përmes dialogut të ndershëm dhe kuptimplotë, janë dëshmi e re se ai preferon tensionet me shpresën për të fituar ndihmë nga palët e treta dhe për të zhvilluar aleanca artificiale kundër Turqisë”, paralajmëroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke.

Ai theksoi se vendet me integritet dhe respekt për veten nuk lëshohen në deklarata dhe veprime të tilla.

Më tej ai theksoi se Greqia ka ngritur akuza ndaj Turqisë, por edhe ka ndërmarrë hapa për të rritur tensionet në detet Egje dhe Mesdhe në përputhje me kërkesat e saj maksimaliste, të cilat sipas tij janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Bilgiç i bëri thirrje Greqisë që të respektojë marrëveshjet dhe ligjet ndërkombëtare.

Dendias reagoi ndaj deklaratave të Turqisë për armatosjen e ishujve të Egjeut në një konferencë shtypi në Athinë të martën në prani të ministrit të Jashtëm saudit, Faisal bin Farhan al-Saud.

“Nëse Turqia dëshiron të tregojë vullnet të mirë, duhet të anulojë marrëveshjen me Libinë për përcaktimin e zonës së juridiksionit detar”, tha Dendias, duke shtuar se Turqia po ndjek një politikë agresive në rajon.