Turqia përkrah tatimpaguesit për shkak të Covid-19, pagesat shtyhen me 6 muaj

Pagesat tatimore të qytetarëve që janë mbi 65 vjeç ose kanë sëmundje kronike shtyhen gjithashtu për shkak të ndalimit të daljes nga shtëpia në situatën e virusit.

Turqia do të shtyjë pagesën e taksave për shkak të shpërthimit të koronavirusit, ku përfitues llogaritet të jenë 1,9 milion tatimpagues. Ministria e Financave ka publikuar sot të gjithë kompanitë, sektorët dhe profesionistët e kualifikuar që përfitojnë nga shtyrja e taksave për gjashtë muaj.

Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Albayrak specifikoi se te profesionistët e kualifikuar përfshihen të vetëpunësuarit, fermerët, rrobaqepësit, avokatët, këshilltarët financiarë, arkitektët, inxhinierët, mjekët dhe dentistët.

“Ndërsa sektorët që mund të vonojnë pagesa e tyre tatimore përfshijnë qendrat e shitjes me pakicë dhe ato tregtare, industria e hekurit, çelikut dhe metaleve, sektori i automobilave, logjistika dhe transporti, tekstilet, argëtimet, minierat, ndërtimet, media dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor. Për sektorët e përmendur, ne shtyjmë pagesat në lidhje me mbajtjen e deklaratave tatimore dhe deklaratat e TVSH-së në prill, maj dhe qershor për gjashtë muaj,” tha Albayrak.

Pagesat tatimore të qytetarëve që janë mbi 65 vjeç ose kanë sëmundje kronike  shtyhen gjithashtu për shkak të ndalimit të daljes nga shtëpia në situatën e virusit.

Javën e kaluar, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi një paketë ndihme prej 100 miliardë lira turke (rreth 15.4 miliardë dollarë) për të ndihmuar në lehtësimin e efekteve të Covid-19.

Ai njoftoi një seri masash duke përfshirë uljen e taksave për bizneset dhe ndihmën financiare për familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe të moshuarit./Anadolu Agency