Turqia paralajmëroi palët që të përmbahen nga provokimet në Munbixh

"Paralajmërojmë të gjitha palët në rajon që të përmbahen nga aktivitetet dhe retorika provokative që mund ta sjellin rajonin në një pozitë edhe më të paqëndrueshme"

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë paralajmëroi të gjitha palët në qytetin sirian Munbixh që të përmbahen nga aktivitetet dhe retorika provokative që mund ta sjellin rajonin në pozitë edhe më të paqëndrueshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Turqisë publikoi një njoftim lidhur me zhvillimet në qytetin sirian Munbixh, në të cilin theksoi paralajmërime të caktuara.

Mes tjerash, theksohet se organizata terroriste YPG/PKK, e cila me forcë kontrollon qytetin sirian Munbixh, nuk ka të drejtë të prononcohet në emër të popullatës së këtij rajoni, as nuk ka të drejtën dhe autoritetin për të ftuar disa elementë të tjerë.

“Paralajmërojmë të gjitha palët në rajon që të përmbahen nga aktivitetet dhe retorika provokative që mund ta sjellin rajonin në një pozitë edhe më të paqëndrueshme”, theksohet në njoftimin duke shtuar se Turqia po ndjek nga afër hapat e atjeshëm.

Forcat besnike të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, në koordinim me organizatën terroriste YPG/PKK, disa ditë më parë vendosën trupat e tyre në qytetin sirian Munbixh.