Të paktën 45 terroristë, përfshirë dy të ashtuquajtur figura të larta, janë neutralizuar në operacionet antiterroriste në gjithë Turqinë gjatë javës së kaluar, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet turke shpesh përdorin fjalën “neutralizim” në deklaratat e tyre për të nënkuptuar se terroristët janë dorëzuar, vrarë ose janë kapur.
Ministria tha në një deklaratë se gjithsej 2.143 operacione antiterroriste janë kryer midis 29 tetorit dhe 5 nëntorit.
Në mesin e terroristëve të neutralizuar, 25 janë vrarë, dhjetë janë kapur dhe dhjetë të tjerë janë dorëzuar te forcat turke të sigurisë, thuhet në deklaratë.
Selim Demiroğlu me emrin e koduar Fırat Celi, i cili ishte në kategorinë portokalli të listës me personat e kërkuar të Ministrisë së Brendshme, dhe Ilyas Karakoç me emrin e koduar Baran, i cili kërkohej në kategorinë gri, ishin ndër terroristët e neutralizuar.
Lista me personat e kërkuar ndahet në pesë kategori me ngjyra, prej të cilave e kuqja shënon personat më të kërkuar, pasuar nga ngjyra blu, jeshile, portokalli dhe gri.
Forcat e sigurisë gjithashtu kanë arrestuar 740 persona për ndihmë dhe nxitje të organizatave terroriste, 3.698 njerëz për krime të lidhura me lëndë narkotike dhe kontrabandë dhe 139 të tjerë për trafikim të qenieve njerëzore.
Në nëntë provinca janë shkatërruar 38 strehimore të organizatës terroriste dhe 15 eksplozivë dhe mina të improvizuara, ndërsa forcat e sigurisë kanë konfiskuar 42 granata dore, 895 kilogramë substanca shpërthyese, 29 armë dhe 746 municione.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e afër 40.000 njerëzve, përfshirë gra dhe fëmijë.