Turqia mund të raportojë më shumë lajme të mira brenda 2 muajve

"Ka shumë mundësi që ne do të bëjmë zbulime të reja në shtresat nën fushën e zbulimit. Lajmet e reja të mira mund të vijnë në dy muaj", tha ministri Donmez

Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez të mërkurën tha se më shumë “lajme të mira” mund të vijnë brenda dy muajve në Detin e Zi, duke iu referuar zbulimeve të reja të mundshme të rezervave të gazit natyror, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ka shumë mundësi që ne do të bëjmë zbulime të reja në shtresat nën fushën e zbulimit. Thellësia dhe gjatësia e tyre janë të ngjashme. Lajmet e reja të mira mund të vijnë në dy muaj”, tha për CNN Turk, ministri Donmez.

Duke kujtuar se Turqia filloi aktivitetet e saj të kërkimit sizmik 14 muaj më parë, Donmez tha se fillimi i prodhimit dhe përdorimit të gazit natyror nga puset e shpuara në Detin e Zi do të arrijë në vitin 2023.

Ai tha se puna është kryer vetëm në një çerek të zonës prej 8.000 kilometra katrorë të pusit TUNA-1, duke shtuar se zbulime mund të ndodhin në struktura të ngjashme.

Anija shpuese Kanuni do të jetë në Detin e Zi deri në fund të vitit, tha ai, duke përmendur se anija planifikohet të shpojë gati 40 puse në atë pikë.

“Nëse shihet se ka potencial, dy anije nuk do të jenë të mjaftueshme”, tha ai.

Donmez nënvizoi se të dhënat sizmike po vlerësohen si në Detin e Zi, ashtu edhe në atë Mesdhe.

Duke theksuar se aktivitetet e shpimit do të vazhdojnë në rajonet poteciale në Mesdheun Lindor, Donmez tha se Turqia ka shansin të gjejë naftë dhe gaz natyror.

“Hulumtimi i gazit natyror është kryer kryesisht në Mesdheun Lindor. Ka pika në të njëjtën fushë ku prodhohet naftë dhe gaz natyror. Pritshmëria jonë duket si zbulimi i gazit, por kjo do të bëhet e qartë sipas shpimit që do të bëhet”, tha ai.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan të premten njoftoi zbulimin e 320 miliardë metra kub rezerva të gazit natyror në Detin e Zi, pranë bregdetit turk.