“Turqia mund të përfitojë nga ndryshimi i zinxhirëve të furnizimit”

"Ne besojmë se mund të bëhemi një aktor përcaktues në zinxhirin global dhe të vazhdojmë në rrugën tonë fuqishëm duke përdorur mundësi të reja në investime dhe tregti", tha ministrja turke e Tregtisë, Ruhsar Pekcan

Ministrja e Tregtisë e Turqisë, Ruhsar Pekcan, tha se vendi i saj ka potencialin të shfrytëzojë mundësitë që vijnë nga ndryshimi i zinxhirëve globalë të furnizimit për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne besojmë se mund të bëhemi një aktor përcaktues në zinxhirin global dhe të vazhdojmë në rrugën tonë fuqishëm duke përdorur mundësi të reja në investime dhe tregti”, tha ministrja Pekcan gjatë diskutimeve të buxhetit në parlamentin turk.

Pandemia COVID-19, që u raportua për herë të parë në Kinë dhjetorin e kaluar, tregoi se varësia te një furnizues i vetëm, siç është Kina, përbën rreziqe.

Ekspertët mendojnë se Turqia, me fuqi punëtore të kualifikuar, lokacionin strategjik dhe infrastrukturën e saj të zhvilluar, është kandidati kryesor për të qenë një furnizues i madh, veçanërisht në rajonin e saj, duke përfshirë Lindjen e Mesme dhe Evropën.