Turqia mirëpret ndalesën ndaj organeve propaganduese të PKK-së në Gjermani

Në deklaratën e Ambasadës së Turqisë në Berlin, thuhet se Ankaraja zyrtare pret nga autoritetet gjermane të frenojnë aktivitetet propaganduese, të rekrutimit dhe të ngritjes së fondeve të kësaj organizate terroriste

Turqia përshëndeti vendimin e fundit të autoriteteve të Gjermanisë, për të ndaluar veprimtarinë e dy organizmave që shërbejnë për të bërë propagandë në favor të organizatës terroriste PKK, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ky është një hap në drejtim të duhur”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së Turqisë në Berlin, në të cilën shtohet se Ankaraja zyrtare pret nga autoritetet gjermane të frenojnë aktivitetet propaganduese, të rekrutimit dhe të ngritjes së fondeve të kësaj organizate terroriste.

Ministria e Brendshme gjermane, njoftoi se të martën shtëpia botuese Mesopotami, me seli në Gjermani, dhe kompania multimediale MIR, janë ndaluar pasi funksiononin si nën-degë e organizatës së PKK-së.

Përmes botimit të librave, përmbajtjeve multimediale, koncerteve muzikore dhe eventeve të ndryshme kulturore, ato kanë përhapur propagandë në favor të PKK-së.

PKK është ndaluar në Gjermani që nga viti 1993, megjithatë mbetet aktive me rreth 14.500 ndjekës në mesin e emigrantëve, të cilët i përdorin për ngritjen e fondeve, rekrutimin dhe propagandë.

Grupi tashmë për 30 vjet zhvillon fushatë terroriste kundër Turqisë, duke qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 njerëzve.

Si organizatë terroriste konsiderohet nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja.