“Turqia mirëpret deklaratat e moderuara të udhëheqësve talebanë”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se vendi i tij mirëpret deklaratat e moderuara të bëra nga udhëheqësit talebanë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Turqia është e gatshme për të gjitha llojet e bashkëpunimit për paqen në Afganistan, mirëqenien e të afërmve tanë në vend dhe mbrojtjen e interesave të Turqisë”, tha Erdoğan në një intervistë të përbashkët televizive të transmetuar drejtpërdrejt në Kanal 7, Ulke TV, 24 TV , TVNET dhe TV 360.

Ai tha se prania ushtarake e Turqisë në Afganistan do të forcojë dorën e administratës së re të Kabulit në arenën ndërkombëtare.

“Pavarësisht se kush është në administratë, qëndrimi me Afganistanin në kohë të mira dhe të këqija është kërkesa e vëllazërisë”, shtoi Erdoğan.

Për sigurinë e aeroportit të Kabulit, ai tha se Turqia po bën planet e saj sipas realiteteve të reja që dalin në terren dhe vazhdon negociatat në përputhje me rrethanat.

Prioriteti i Turqisë është të sigurojë paqen dhe sigurinë e turqve në Afganistan, theksoi presidenti turk, duke shtuar se 552 shtetas turq janë evakuuar deri më tani nga vendi.

Ai tha se mund të bisedojë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin rus Vladimir Putin deri në fundjavë.

Si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të arritur në shkurt 2020 midis SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit forcat ndërkombëtare filluan tërheqjen e tyre nga Afganistani.

Marrëveshja urdhëroi që talebanët të mos shënjestronin forcat e huaja, por nuk kishte asnjë dispozitë për veprimin e tyre ndaj forcave afgane të sigurisë.

Përderisa vazhdonin negociatat me qeverinë në Doha të Katarit, talebanët intensifikuan sulmet e tyre që nga qershori, duke marrë kontrollin e shumë rretheve dhe qendrave krahinore në muajin e kaluar.

Talebanët të dielën morën kryeqytetin Kabul, ndërsa presidenti Ashraf Ghani dhe zyrtarë të tjerë kryesorë që u larguan nga vendi.