“Turqia kundërshton mercenarët në Libi”

"Qëllimi ynë është të krijojmë armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kontribuojmë në ringjalljen e procesit politik dhe ta përshpejtojmë atë", tha Çavuşoğlu, duke shtuar se mënyra e vetme e zgjidhjes është ajo politike

Turqia është kundër mercenarëve që vijnë në Libi pasi ata do të pengojnë përpjekjet për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi kundër mercenarë që vijnë në Libi. Mendojmë se mercenarët nuk mund të sjellin paqe dhe stabilitet”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Sudanit të Jugut, Awut Deng Acuil, pas takimit të tyre dypalësh në kryeqytetin Ankara.

“Sidoqoftë, qëllimi ynë është të krijojmë armëpushim sa më shpejt të jetë e mundur dhe të kontribuojmë në ringjalljen e procesit politik dhe ta përshpejtojmë atë”, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se mënyra e vetme e zgjidhjes është ajo politike.

Ai gjithashtu theksoi se Turqia mbështet dialogun midis Sudanit dhe Sudanit të Jugut, ku ata kaluan përmes një procesi të ngjashëm.

Parlamenti i Turqisë javën e kaluar kaloi mocionin që lejon vendosjen e trupave në Libi për një vit në mënyrë që t’i përgjigjet kërcënimeve nga grupe të paligjshme të armatosura dhe grupe të tjera terroriste që synojnë interesat kombëtare të të dy vendeve.

Rezoluta po ashtu synon të sigurojë siguri në Libi përballë çdo migracioni të mundshëm masiv dhe t’u sigurojë libianëve ndihmë humanitare. Forcat turke do të jenë në gjendje të fillojnë një “operacion dhe ndërhyrje ushtarake” për të mbrojtur interesat e Turqisë dhe për të parandaluar situata të pariparueshme në të ardhmen.

Libia ka mbetur e trazuar që nga viti 2011 kur kryengritja e përgjakshme e mbështetur nga NATO çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit shumë vjeçarë Muammar Gaddafi pas më shumë se katër dekadave në pushtet.

Që atëherë, ndarjet e ashpra politike të Libisë kanë prodhuar dy rivalë të pushtetit, një në Tobruk dhe një tjetër në Tripoli, dhe një mori grupesh të armatosura rëndë.