Turqia kritikon përpjekjen e Gjermanisë për të ndërhyrë në gjykatat e pavarura turke

Duke reaguar fuqishëm ndaj përpjekjeve të Berlinit për të ndërhyrë në gjykatat e pavarura turke, Turqia të premten thirri të dërguarin e lartë gjerman në Ankara pasi Gjermania thirri ambasadorin e Turqisë në Berlin lidhur me vendimin e kësaj jave për Osman Kavalan, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve diplomatike, ambasadori gjerman Jurgen Schulz është thirrur në Ministrinë e Jashtme turke këtë pasdite nga zv/ministri i Jashtëm Faruk Kaymakcı, i cili është përgjegjës për çështjet e BE-së.

Ankaraja dënoi politizimin e çështjes Kavala dhe thirrjen e ambasadorit të Turqisë në Berlin në Ministrinë e Jashtme gjermane, duke e përshkruar këtë veprim si “në kundërshtim me praktikat diplomatike”.

Burimet shtuan se Kaymakcı i tha Schulz-it se vendimi i gjyqësorit të pavarur turk nuk mund të vihet në dyshim nga asnjë institucion, autoritet apo shtet.

Duke vënë në dukje se Turqia është një shtet ligjor, Kaymakcı theksoi se vendi është i vetëdijshëm për Kushtetutën dhe detyrimet e tij ndërkombëtare, thanë burimet.

Duke hedhur poshtë përpjekjet për të ndërhyrë në gjyqësorin dhe çështjet politike turke, Turqia përmendi parimin e Konventës së Vjenës për mosndërhyrjen në punët e brendshme të një vendi.

Të hënën, një gjykatë e Stambollit dënoi biznesmenin Osman Kavala me një burgim të rëndë të përjetshëm me akuzën e përpjekjes për të përmbysur qeverinë duke financuar protestat e vitit 2013 në Gezi park.