Turqia kritikoi Francën të dielën rreth një libri shkollor që do të përdoret në shkollat e mesme franceze, që përfshin propagandën nga organizata terroriste YPG/PKK, raporton Anadolu Agency (AA).
“Libri shkollor, që thuhet se do të përgatitet nga një shtëpi botuese për t’u mësuar në shkollat e mesme në Francë, përfshin informacione në lidhje me kurdët në përputhje me ideologjinë separatiste të organizatës terroriste YPG/PKK”, tha në një deklaratë Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.
“Pikëpamjet dhe paralajmërimet në deklaratat e mëparshme të Turqisë, në lidhje me mbështetjen e Francës për organizatën terroriste, e cila kërcënon sigurinë kombëtare të Turqisë dhe këmbënguljen për gabimin e barazimit të kurdëve sirianë me PKK/YPG, janë akoma të pranishme”, tha ai.
Aksoy tha se përpjekjet e Francës për të ndërtuar preferencat e saj të politikës së jashtme pothuajse në të gjitha çështjet bazohen në retorikën e saj anti-Turqi, ndërsa përpjekjet për të shtrembëruar të vërtetat historike dhe ligjin janë shqetësuese.
“Është e qartë se kjo propagandë terroriste, e cila është rezultat i politikës zyrtare të Francës, u iniciua me guximin e marrë nga ata që presin të ashtuquajturit përfaqësues të organizatës terroriste në Pallatin Presidencial”, nënvizoi ai.
Arsyeja themelore për këto akuza të pabaza është zhgënjimi i thellë që rrjedh nga goditja që Turqia i dha me operacionin e saj “Burimi i Paqes” planeve të Francës për krijimin e një shteti terrorist.
“Autoritetet franceze përshkruan operacionet anti-terroriste të Turqisë, të kryera për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon brenda kornizës së respektimit të integritetit territorial të Sirisë, si përpjekje për pushtim”, tha ai.
Paraqitja e shtrembëruar e dogmave ideologjike dhe interesave politike në librat shkollorë përbën një rrezik serioz për brezat e ardhshëm, kurse Turqia do të vazhdojë të ndjek nga afër këto çështje derisa Franca të korrigjojë gabimet në sektorin e saj të arsimit, shtohet në deklaratë.
Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të suksesshme kundërterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori dhe për të mundësuar zgjidhjen paqësore të vendasve, gjegjësisht operacionin “Mburoja e Eufratit” në vitin 2016, “Dega e Ullirit” në vitin 2018 dhe “Burimi i Paqes” në vitin 2019.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE) ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.