Turqia kërkon veprim kundër sulmeve islamofobike

Duke folur në takimin emergjent të OBI-së në Stamboll, Çavuşoğlu u zotua për një qëndrim "kundër gjithë kësaj gjuhe të urrejtjes, dhunës dhe terrorizmit, me fjalën tonë dhe hapat praktikë"

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) nuk do të qëndrojë pasive përballë sulmeve islamofobike, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një takim emergjent të OBI-së në Stamboll, i mbledhur me kërkesë të Turqisë, Çavuşoğlu u zotua për një qëndrim “kundër gjithë kësaj gjuhe të urrejtjes, dhunës dhe terrorizmit, me fjalën tonë dhe hapat praktikë”.

Asnjë fe apo besim nuk mund të përkufizohet me dhunë dhe terror, tha kryediplomati turk, duke shtuar se paqja është “në zemër të Islamit”.

Nga ana e tij, sekretari i përgjithshëm i OBI-së, Yousef Al-Othaimeen apeloi për veprim që të frenohet gjuha anti-muslimane e urrejtjes, duke thënë se terrori nuk ka gjuhë, religjion apo racë.

Al-Othaimeen i quajti sulmet terroriste të javës së kaluar në Zelandën e Re si një “pikë kthese” për muslimanët dhe se ata nuk do të zmbrapsen nga marrja e masave për të frenuar dhunën.

Duke folur gjithashtu në këtë eveniment, zëvendëskryeministri i Zelandës së Re dhe ministri i Jashtëm Winston Peters tha se vendi i tij i kushton rëndësi të madhe lirisë së besimit fetar, duke i quajtur sulmet ndaj muslimanëve si “sulme ndaj të gjithëve”.

Hetimi më i madh i policisë në historinë e Zelandës së Re është nisur pas sulmeve, tha Peters, sipas të cilit, terroristi përgjegjës do të kalojë pjesën tjetër të jetës së tij i vetëm në një qeli.

Një javë më parë, të paktën 50 muslimanë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën kur një terrorist, i identifikuar si Brenton Tarrant (28), i lindur në Australi, hyri në xhamitë Al Noor dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re dhe qëlloi mbi adhuruesit, duke përfshirë katër fëmijë më të vegjël se 18 vjeç.Turqia kërkon veprim kundër sulmeve islamofobike