Turqia eksporton lule në 20 vende për 8 Marsin

İsmail Yılmaz, kreu i Bordit Drejtues të Eksportuesve të Bimëve dhe Prodhimeve Dekorative të Anadollit, tha për AA se tashmë 20 ditë është duke u punuar për përmbushjen e porosive me rastin e 8 Marsit

Turqia ka eksportuar lule në vlerë prej 5 milionë dollarësh në 20 shtete me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, raporton Anadolu Agency (AA).

İsmail Yılmaz, kreu i Bordit Drejtues të Eksportuesve të Bimëve dhe Prodhimeve Dekorative të Anadollit, tha për AA se tashmë 20 ditë është duke u punuar për përmbushjen e porosive me rastin e 8 Marsit.

“Në 20 vende kemi dërguar 35 milionë degë lulesh. Presim të ardhura prej afërsisht 5 milionë dollarëve. Më së shumti kemi eksportuar në Ukrainë, Rumani dhe Bullgari. Dita e Gruas festohet më shumë në shtetet e Bllokut Lindor. Në pjesën perëndimore të Evropës nuk ka entuziazëm si në këto vende”, tha Yılmaz.

Yılmaz vuri në dukje se prodhimi i luleve ka rënë këtë vit për shkak të kushteve atmosferike ndërsa shtoi se produkti fiton më shumë vlerë për shkak të prodhimit të ulët dhe kërkesave të larta.

Ai tha se të ardhurat e këtij viti nga eksporti i luleve do të jenë të afërta me atë të vitit të kaluar, duke shtuar se 70 për qind e eksporteve në këtë sektor bëhen nga provinca bregdetare e Antalyas.

Ndërkaq, 41-vjeçarja Nuriye Güllü, e cila punon në këtë sektor prej 18 vitesh, tha se kujdeset për lulet të cilat, siç u shpreh, do t’i gëzojnë gratë anembanë botës.

Po ashtu, Songül Ataş, e cila merret me kultivimin e luleve prej dhjetë vitesh, tha se përmes këtij profesioni siguron nevojat e shtëpisë dhe fëmijëve të saj.

“Jemi të lumtura që lulet që i kultivojmë këtu do të arrijnë në duart e grave në vende të ndryshme”, shtoi Ataş.

Inxhinierja e bujqësisë, Dönüş Ulaş, e cila punon në sektorin e luleve nga viti 2003, tha se edhe lulet kanë gjuhë dhe i gëzojnë njerëzit.

“Lulet kanë gjuhën e dashurisë dhe tolerancës. Dhurimi i luleve i gëzon njerëzit. Ne nuk gëzohemi nga lulet që na vijnë në ditë të veçanta pasi i shohim ato çdo ditë. Por, ne do t’i gëzojmë gratë në botë”, tha Ulaş.