Turqia “e vendosur” për të luftuar elementët terroristë në Siri

Ministri Akar tha se lufta e Forcave të Armatosura Turke kundër organizatave terroriste si PKK/KCK/YPG dhe DEASH ka vazhduar në të njëjtën kohë brenda dhe jashtë vendit

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se vendosmëria e Turqisë në luftën kundër terrorit vazhdon në të njëjtën mënyrë në Idlib, Munbixh dhe në lindje të Eufratit të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Samitin e Industrisë së Mbrojtjes Turke në kryeqytetin Ankara, Akar tha se lufta e forcave të armatosura turke kundër organizatave terroriste si PKK/KCK/YPG dhe DEASH ka vazhduar në të njëjtën kohë brenda dhe jashtë vendit me një “vendosmëri të madhe”.

Akar rikujtoi se Forcat e Armatosura Turke neutralizuan mbi 3 mijë terroristë radikalë të DEASH-it gjatë operacionit “Mburoja e Eufratit” përgjatë kufijve të Sirisë dhe rreth 5 mijë terroristë PKK/YPG gjatë operacionit “Dega e Ullirit” në Afrin të Sirisë veriperëndimore.

“Kështu, ne kemi treguar se kurrë nuk do të lejojmë që korridoret e terrorizmit të vendosen përgjatë kufijve tanë”, shtoi Akar.

Gjatë fjalës së tij, Akar po ashtu tha se Turqia ka monitoruar nga afër atë që po ndodh në detet territoriale prej 462 mijë kilometra katrorë në Egje, Mesdhe dhe Detin e Zi.

“Të drejtat dhe përfitimet historike të vendit tonë dhe Repulikës Turke të Qipros Veriore mbrohen me vendosmëri në Detin Egje dhe Mesdheun lindor. Ne kurrë nuk do të lejojmë që të merren hapat dhe veprimet e kryera në përbuzje të Turqisë në atdheun tonë të kaltër”, theksoi Akar.

Operacioni “Mburoja e Eufratit” filloi në gusht të vitit 2016 dhe përfundoi në fund të marsit 2017 për të përmirësuar sigurinë, për të mbështetur forcat e koalicionit dhe për të eleminuar kërcënimin terrorist në rajonet veriore siriane Jarabulus, Al-Rai, Al-Bab dhe Azaz.

YPG është dega siriane e PKK-së, një grup terrorist i njohur nga Turqia, SHBA-të dhe BE-ja, e cila në fushatën e saj terroriste 30-vjeçare ka marrë rreth 40 mijë jetë.

SHBA ka pohuar se YPG/PKK është një “aleat” në luftën kundër DEASH-it lidhur me kundërshtimet e Turqisë se nuk mund të përdorë një grup terrorist për të luftuar një tjetër.

Turqia në mënyrë të përsëritur ka cituar dëshmi se YPG nuk ndryshon nga PKK.