“Turqia do të ulë deficitin korrent me fushat e zbuluara të gazit”

Ministri Dönmez zyrtarisht filloi prodhimin në fushat e gazit Batı Çeltik-1 dhe Batı Değirmenköy 4-5 në Stamboll, në pronësi të kompanisë turke të naftës Turkish Petroleum's (TPAO)

Turqia do të jetë në gjendje të zvogëlojë deficitin e llogarisë korrente me 5 miliardë lira turke në saje të prodhimit të gazit natyror nga fushat e zbuluara rishtazi, tha ministri i Energjisë dhe Resurseve Natyrore i Turqisë, Fatih Dönmez, raporton Anadolu Agency (AA).

Turqia ka burime të kufizuara të brendshme të energjisë dhe kryesisht varet nga importet e shtrenjta të energjisë për konsumin e saj, që përbën pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korente. Vendi përpiqet të zbulojë burime të reja të naftës dhe gazit natyror dhe gjithashtu investon në energjinë e rinovueshme dhe qymyrin vendor.

Gjatë ceremonisë së ndezjes së puseve të reja të gazit natyror në rrethin Silivri të provincës së Stambollit, Dönmez tha se përpjekjet e Turqisë në aktivitetet e shpimit në tokë dhe det do të vazhdojnë me qëllim rritjen e kapaciteteve të prodhimit vendas.

Ministri zyrtarisht filloi prodhimin në fushat e gazit Batı Çeltik-1 dhe Batı Değirmenköy 4-5 në Stamboll, në pronësi të kompanisë turke të naftës Turkish Petroleum’s (TPAO).

Dönmez theksoi se rezerva e gazit natyror të fushave arrin deri në tre miliardë metra kub.

Puset e reja kanë një kapacitet prodhues vjetor prej 300 milionë metra kub, dhe prodhimi është i mjaftueshëm për të plotësuar konsumin për 300.000 familje për dhjetë vjet, shtoi ai.

“Ne nuk do të heqim dorë nga kërkimi i burimeve natyrore dhe do t’i shërbejmë kombit tonë”, tha ai.

Më shumë aktivitete të shpimit në vitin 2019

Ministri Dönmez tha se vitin e kaluar, TPAO ka shpuar 73 puse dhe deri më 6 shkurt, prodhimi i naftës i kompanisë ka arritur në 136.000 fuçi në ditë.

“Në vitin 2019, objektivi është të shpohen 139 puse në Turqi”, deklaroi Dönmez.

Kompanitë shtetërore dhe private në Turqi janë duke punuar për eksplorim dhe prodhim dhe janë duke zhvilluar njohuritë e tyre në mënyrë që të arrijnë një nivel komercialisht të suksesshëm, shtoi ai.