Turqia do të riparojë shkollat e dëmtuara në veri të Sirisë

Ministria turke e Mbrojtjes ka bërë të ditur se Turqia do të riparojë shkollat e dëmtuara nga grupi terrorist YPG/PKK në veri të Sirisë

Ministria turke e Mbrojtjes ka bërë të ditur se Turqia do të riparojë shkollat e dëmtuara nga grupi terrorist YPG/PKK në veri të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ushtarët tanë heroikë, së bashku me institucionet tona qeveritare, vazhdojnë përpjekjet e tyre të koordinuara në vlerësimin dhe identifikimin e riparimeve dhe punëve të restaurimit të nevojshme për shkollat lokale të shkatërruara nga terroristët e YPG/PKK-së në zonën e operacionit Burimi i Paqes”, tha ministria turke në Twitter.

Ministria po ashtu postoi fotografi të një shkolle të dëmtuar.

Turqia më 9 tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të Eufratit në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë në kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Më 17 tetor, SHBA dhe Turqia arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin që të lejojnë tërheqjen e forcave terroriste të YPG/PKK-së nga zona e sigurtë e planifikuar, ku Ankaraja dëshiron të riatdhesojë miliona refugjatë sirianë që aktualisht po presin.

Më 22 tetor, Turqia arriti një marrëveshje tjetrë me Rusinë për të detyruar terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen me armët e tyre nga zona.

Turqia është ankuar se pavarësisht marrëveshjes, terroristët kanë mbetur në zonë dhe vazhdojnë të kryejnë sulme.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë e foshnja.