Është botuar në Fletoren Zyrtare dekreti presidencial në lidhje me konvertimin në lira turke (TL) brenda 30 ditëve të çmimeve të kontratave të shitblerjes dhe qiradhënies së pronave të luajtshme dhe të paluajtshme që janë bërë në valutë të huaj.
Në Fletoren Zyrtare është botuar me firmën e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) vendimi “Për disa ndryshime në dekretin nr.32 për mbrojtjen e vlerës së monedhës turke”.
Sipas dekretit të fundit, personat rezident në Turqi, me përjashtim të rasteve të përcaktuara ndryshe nga Ministritë përkatëse, në kontratat që do të lidhin me institucionet shtetërore për marrjen/dhënien me qira të çdo lloj pasurie (të tundshme dhe të patundshme), kontratat për qira financiare (leasing), kontratat për punë, shërbime dhe vepra të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe kontratat që ata do të lidhin ndërmjet tyre për shitblerjen e pasurive të patundshme, qiratë e mjeteve të transportit apo qiratë financiare (leasing), çmimet e kontratës nuk do ti përcaktojnë më në valutë apo të indeksuara në valutë (monedhë të huaj).
Me përjashtim të rasteve të parapara ndryshe nga Ministritë përkatëse, çmimet e përcaktuara në valutë të huaj të kontratave që janë nënshkruar më herët dhe që vazhdojnë të jenë ende në fuqi brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e dekretit do të ripërcaktohen mes palëve nënshkruese në lira turke.
Përgjegjëse për ekzekutimin e dispozitave të dekretit do të jetë Ministria e Financave dhe Thesarit.
Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Allbajrak (Albayrak) kishte paralajmëruar më 29 gusht se qeveria do të merrte masa për të parandaluar përdorimin e monedhave të huaja në veprimet e shitblerjes, qiradhënies së pasurive të paluajtshme, dyqaneve në qendrat tregtare etj./TRT