“Turqia do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi në Siri”

Postet turke të vëzhgimit në Idlib do të vazhdojnë detyrat e tyre, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes

Pas sulmit të regjimit sirian mbi trupat turke në Idlib, Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo sulmi në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ndaj të gjitha llojeve të sulmeve do të ketë kundërpërgjigje proporcionale. Postet tona të vëzhgimit (në Idlib) do të vazhdojnë detyrat e tyre”, tha Kolonel Olcay Denizer, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, në një konferencë shtypi në Ankara.

Sulmi i së hënës nga regjimi sirian ndaj posteve turke të vëzhgimit në veriperëndim të Sirisë martirizoi shtatë ushtarë turq dhe një kontraktues civil që punonte me ushtrinë turke. Po ashtu në këtë sulm u plagosën 13 persona të tjerë.

Në kundërpërgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës, Turqia goditi mbi 50 shënjestra dhe vrau 76 trupa të regjimit sirian.

Që nga shpërthimi i luftës civile siriane në vitin 2011, Idlibi ka qenë një bastion i opozitës dhe grupeve të armatosura anti-qeveritare.

Aktualisht, Idlibi është shtëpi e rreth 4 milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të shpërngulur viteve të fundit nga sulmet e forcave të regjimit.

Në muajin shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë deeskalimi ku aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij në vazhdimësi kanë thyer kushtet e armëpushimit, përfshirë atë të fundit që filloi më 12 janar, duke kryer sulme të shpeshta brenda zonës dhe duke vrarë të paktën 1.600 civilë që nga arritja e marrëveshjes.