Turqia do të përgjigjet ashpër nëse pikat e saj vëzhguese në provincën e Idlibit në veriperëndim të Sirisë vihen në shënjestër madje edhe nga sulmi më i vogël, tha presidenti i vendit Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
“Turqia do të bëjë më shumë sesa një kundërpërgjigje në rast të sulmit edhe më të vogël ndaj pikave të saj të vëzhgimit në Idlib”, tha Erdoğan gjatë takimit të grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në kryeqytetin Ankara.
Turqia nisi operacionin “Mburoja e Pranverës” më 27 shkurt në Idlib pasi të paktën 36 ushtarë turq u martirizuan në një sulm ajror të regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib dhe pas shkeljeve të përsëritura të armëpushimeve të mëparshme.
Sipas një marrëveshjeje të vitit 2018 me Rusinë, trupat turke gjenden në Idlib për të mbrojtur civilët nga sulmet e regjimit dhe grupeve terroriste.
Erdoğan tha se armëpushimi i javës së kaluar lidhur me Idlibin u arrit pas fushatës ushtarake të Turqisë atje, duke u dhënë banorëve të Idlibit mundësinë për të jetuar pa kërcënime, duke shtuar se Turqia po ndjek nga afër zhvillimet në terren.
“Ne jemi duke monitoruar nga afër vendosjen e regjimit të Asadit dhe militantëve aleatë afër vijave të armëpushimit”, tha ai, duke theksuar se Turqia do t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit për sa kohë që regjimi sirian dhe aleatët e tij e bëjnë të njëjtën gjë.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të arritur javën e kaluar, të gjitha aktivitetet ushtarake janë ndaluar në Idlib, rajon në jug të kufirit turk, ndërsa është formuar një korridor sigurie 6 kilometra në veri dhe jug të autostradës M4.
Marrëveshja po ashtu parasheh patrullime të përbashkëta turko-ruse që do të fillojnë më 15 mars përgjatë autostradës.
Gjatë fjalës së tij, Erdoğan foli gjithashtu për zhvillimet e fundit në lidhje me koronavirusin në Turqi, e cila sapo ka konfirmuar rastin e saj të parë.
“Shpresojmë që Turqia ta tejkalojë këtë pa asnjë viktimë. Kjo është dëshira jonë. Asnjë virus nuk është më i fortë se masat tona”, deklaroi presidenti turk.
“Morëm në kohë të gjitha masat për të parandaluar që kjo sëmundje, e cila ka tmerruar gjithë botën, të përhapet brenda Turqisë”, shtoi ai.
Erdoğan gjithashtu i kërkoi qytetarëve që të kujdesen për higjienën personale për të frenuar përhapjen e sëmundjes në vend.
Refugjatët në kufirin grek
Presidenti i Turqisë kritikoi autoritetet greke për sjelljen e tyre ndaj refugjatëve të cilët së fundmi janë afruar në kufirin e Greqisë për të kaluar në Evropë.
Ai shfaqi një video-prezantim që tregon trajtimin, gazin lotësjellës, plumbat e gomës dhe topat e ujit me të cilat refugjatët janë përballur në kufi që kur Turqia vendosi të mos pengojë refugjatët të cilët dëshirojnë të kalojnë në vendet evropiane.
“Nuk ka asnjë dallim midis asaj që kanë bërë nazistët dhe këtyre pamjeve në kufirin grek”, theksoi Erdoğan.
“Hapja zjarr ndaj të pafajshmive të cilët nuk kanë asnjë qëllim tjetër përpos t’i shpëtojnë jetët e tyre dhe të sigurojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre, trajtimi jonjerëzor ndaj tyre me mjete si bombat me gaz dhe uji i ngrohtë, është barbarizëm në kuptimin e plotë të fjalës”, shtoi presidenti i Turqisë.