Turqia do ta zbardhë vrasjen e gazetarit saudit

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha të hënën se Turqia po i ndërmerr hapat e nevojshëm për zbardhjen e rastit të vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi sipas rregullave juridike ndërkombëtare dhe kombëtare.

Pas mbledhjes së Kabinetit të Qeverisjes Presidencial, zhvilluar të hënën nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Pallatin Presidencial në Ankara, zëdhënësi Kallën mbajti një konferencë shtypi si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

“Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me Turqinë dhe Arabinë Saudite. Turqia po i ndërmerr hapat e nevojshëm për zbardhjen e rastit të vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në kuadër të të drejtës ndërkombëtare dhe legjislacionit të saj kombëtar. Çështja ka të bëjë me zbardhjen e një krimi të urryer”,- tha zëdhënësi Kallën.

Turqia po kryen një hetim “të ndjeshëm dhe gjithëpërfshirës” për rastin e gazetarit saudit të “Washington Post”Jamal Khashoggi, i cili ishte zhdukur që kur hyri në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor për të kryer disa veprime zyrtare.

Më 20 tetor Arabia Saudite kishte deklaruar se Khashoggi kishte vdekur gjatë një sherri brenda Konsullatës.

Në ditën e zhdukjes së Khashoggi, 15 sauditë të tjerë, përfshirë disa zyrtarë, kishin ardhur në Stamboll me dy aeroplanë privatë dhe kishin vizituar Konsullatën, ndërkohë që ai ndodhej ende brenda. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim mbi rastin të enjten, pasi kontrolloi rezidencën e Konsullit të Përgjithshëm si dhe Konsullatën Saudite në Stamboll.

“Qëndrimi i Presidentit tonë [Rexhep Tajip Erdoan] është shumë i qartë që nga fillimi. Asgjë nuk do të mbetet e fshehur në lidhje me këtë incident,” shtoi Kallën.

SHBA falënderon Turqinë për marrëveshjen e Sirisë

Kallën u kujtoi gazetarëve se Erdoan dhe Presidenti i ShBA-së, Donald Trump për çështjen Khashoggi, luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimet më të fundit në Siri kishin diskutuar në bisedën telefonike që kishin realizuar të dielën.