“Turqia do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit, nuk i duhet leje nga Izraeli”

Zëdhënësi presidencial i Turqisë theksoi se ushtarët turq do të vazhdojnë të qëndrojnë në pikat e vëzhgimit në Idlib të Sirisë për ta garantuar sigurinë dhe stabilitetin

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalın, tha se vendi i tij do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit dhe se për këtë nuk i duhet leje apo pëlqim as nga Izraeli, e as nga ndonjë shtet tjetër, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia do ta vazhdojë luftën kundër terrorizmit në mënyrën më të vendosur. Për këtë nuk do të kërkojë leje apo pëlqim as nga Izraeli, e as nga ndonjë shtet tjetër”, tha Kalın para gazetarëve në Ankara pas një takimi të kabinetit qeveritar të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili të dielën sulmoi presidentin turk për luftën kundër terrorizmit.

Kalın theksoi se ushtarët turq do të vazhdojnë të qëndrojnë në pikat e vëzhgimit në Idlib të Sirisë për ta garantuar sigurinë dhe stabilitetin.

“Në rajonin e Idlibit kemi 12 pika ushtarake të vëzhgimit. Ne do të vazhdojmë ta forcojmë praninë tonë ushtarake atje në kuadër të marrëveshjes për Idlibin. Ushtarët tanë po ashtu do të vazhdojnë të ngelin atje dhe në këtë mënyrë, së bashku me elementet lokale, do të vazhdojnë ta garantojnë sigurinë dhe stabilitetin përreth Idlibit”, deklaroi Kalın.

Po ashtu, Kalın njoftoi se një delegacion ushtarak amerikan do të vizitojë Ankaranë këtë javë për të diskutuar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.

Zëdhënësi i presidencës turke theksoi se vendimi i SHBA-së nga Siria erdhi si rezultat i argumenteve bindëse të presidenti Erdoğan gjatë telefonatës me presidentin amerikan Donald Trump më 14 dhjetor.

Kalın njoftoi se Trump ka bërë të ditur që brenda vitit 2019 do ta vizitojë Turqinë me ftesë të presidentit turk Erdoğan.