“Turqia dhe Zelanda e Re kanë një miqësi shumë të veçantë”

Niveli aktual i shkëmbimit tregtar nuk e pasqyron miqësinë mes dy shteteve, thotë ambasadori i Turqisë në Wellington

Turqia dhe Zelanda e Re gëzojnë një miqësi të veçantë, thotë ambasadori i Turqisë në Zelandën e Re, Ahmet Ergin.

“Ne mendojmë se shkëmbimi tregtar prej 120-140 milionë dollarëve nuk e reflekton miqësinë mes dy shteteve”, tha Ergin për Anadolu Agency (AA) në margjinat e Konferencës vjetore të Ambasadorëve në kryeqytetin e Turqisë, Ankara.

“Ne besojmë se strukturat e bashkëpunimit ekonomik që mund të plotësojnë njëra tjetrën, mund të vendosen në bazë të miqësisë”, shtoi Ergin.

Marrëdhëniet Turqi-Zelandë e Re duhet të jenë shembull për shumë shtete rreth botës, theksoi ai.

“Kur viziton Wellingtonin, mund të shohësh gjurmë nga Çanakkalaja”, tha ambasadori duke iu referuar betejës gjatë Luftës së Parë Botërore.

Beteja e Çanakkalasë që ndodhi në provincën veriperëndimore turke Çanakkale, në distriktin Gelibolu (Gallipoli) në vitin 1915, shënoi një kthesë në favor të turqve kundër Forcave Aleate gjatë Luftës së Parë Botërore.

Dhjetëra mijëra shtetas turq dhe ushtarë humbën jetën, bashkë me dhjetëra mijëra evropianë bashkë me rreth 7.000-8.000 australianë dhe rreth 3.000 shtetas të Zelandës së Re, që njihen zi trupat ANZAC.

Beteja më vonë forcoi lidhjet me Turqinë, që u shfaq si një shtet modern pas luftës, dhe shteteve ANZAC.

Sulmet në xhamitë në qytetin Christchurch

Në lidhje me sulmin vdekjeprurës terrorist në muajin mars që kishte për qëllim xhamitë në Christchurch, Ergin tha që ajo ishte “një ngjarje e pashoq” në historinë e Zelandës së Re.

Sulmi ndaj muslimanëve ka traumatizuar të gjithë vendin, thotë ai.

“Në fakt, Zelanda e Re ishte vendi me nivelet më të ulëta të islamofobisë në botën perëndimore. Ishte vendi më tolerant dhe gjithëpërfshirës. Ata gjithmonë kanë thënë se ky sulm ishte kryer kundër tyre”, shtoi Ergin.

Më 15 mars të vitit 2019, terroristi Brenton Tarrant sulmoi dy xhamitë në qytetin Christchurch gjatë namazit të xhumasë dhe vrau 51 njerëz dhe plagosi 49 të tjerë.

Ergin gjithashtu vlerësoi reagimin e kryeministrit të Zelandës së Re, Jacinda Ardern, pas sulmeve.

Ergin tha se ajo iu afrua qytetarëve të saj si një nënë që ka humbur fëmijën e saj.

Ambasadori i Turqisë gjithashtu tha se kjo përvojë e hidhur e bëri më të fuqishme bashkësinë muslimane në Zelandën e Re dhe e tejkaloi atë me solidaritet.