“Turqia dhe SHBA-të duhet të bisedojnë për të zgjidhur çështjet”

Gjatë takimit në Ankara me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve, Jeffrey M. Hovenier, Bozkır ka kujtuar se Turqia dhe SHBA-të kanë qenë partnerë strategjikë

Kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Turqisë, Volkan Bozkır, ka deklaruar se Turqia dhe SHBA-të duhet të gjejnë zgjidhje për çështjet e vazhdueshme nëpërmjet bisedimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit në Ankara me të ngarkuarin me punë në Ambasadën e SHBA-ve, Jeffrey M. Hovenier, Bozkır ka kujtuar se Turqia dhe SHBA-të kanë qenë partnerë strategjikë.

“Për çështjet e raketave S-400, raketave Patriot dhe avionëve F-35 ne jemi të sigurt se mund të arrijmë zgjidhje duke biseduar dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin”, tha Bozkır.

Ai shtoi se marrëdhëniet e mira midis dy vendeve ishin të një rëndësie kritike.

Hovenier, nga ana e tij, tha se marrëdhëniet SHBA-Turqi janë të gjata dhe të thella dhe se të dy vendet përfitojnë nga kjo.

“Kemi disa çështje, e gjithë axhenda jonë mund të jetë problematike. Të dy vendet vazhdimisht janë të angazhuara për të punuar së bashku për të përparuar interesin e tyre”, tha Hovenier.

Tensionet midis SHBA-ve dhe Turqisë muajt e fundit kanë arritur në nivelin më të lartë, me Turqinë që do të fillojë të pranojë sistemin për mbrojtje ajrore S-400 nga Rusia.

Washingtoni pohon se kjo lëvizje do të rrezikojë rolin e Turqisë në programin e avionit luftarak F-35 dhe se mund të shkaktojë sanksione në Kongres.

Turqia në vitin 2017 vendosi të blejë sistemin S-400 pas përpjekjeve të pasuksesshme për të blerë sistemet e mbrojtjes ajrore nga SHBA-të.