“Turqia dhe presidenti Erdoğan janë elementë të rëndësishëm të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”

Liderët e Bosnje dhe Herzegovinës theksuan se Turqia dhe presidenti i saj, Recep Tayyip Erdoğan, janë elementë të rëndësishëm të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan u takua me anëtarët e Këshillit Presidencial të Bosnje dhe Hercegovinës si pjesë e vizitës së tij në kryeqytetin Sarajevë.

Pas takimit, Erdoğan mbajti një konferencë të përbashkët për media me anëtarët e këshillit: Zhelko Komsiç, Shefik Xhaferoviç dhe Millorad Dodiç.

Xhaferoviç tha se lidhjet midis Turqisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës janë marrëdhënie miqësore dhe vëllazërore.

“Turqia nuk kërkon asgjë nga Bosnje dhe Hercegovina. Ajo ofron vetëm ndihmë. Ne jemi mirënjohës ndaj Turqisë për këtë qëndrim. Turqia dhe Erdoğan janë elementë të rëndësishëm të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe ata ndjekin një politikë stabilizimi në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Xhaferoviç.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Bosnje dhe Hercegovina ka nevojë për bashkëpunim me Turqinë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.

Xhaferoviç shtoi se Bosnje dhe Hercegovina gjithashtu kërkon paqe, stabilitet dhe institucione funksionale shtetërore për një të ardhme të mirë.

Ndërkohë, anëtari serb i këshillit, Dodiç, tha se Turqia po përpiqet vazhdimisht të ndihmojë vendin përmes projekteve në ekonomi, infrastrukturë dhe fusha të tjera.

Ai e përshkroi projektin për ndërtimin e autostradës Sarajevë-Beograd si një “projekt infrastrukturor historik”.

Komsiç, nga ana e tij, tha se Turqia dhe Erdoğan kanë dëshmuar shumë herë se janë miq të vërtetë të Bosnje dhe Hercegovinës.

Presidenti turk sot arriti në Sarajevë, ndalesa e parë në mini-turneun e tij në Ballkanin Perëndimor, ku përpos Bosnje dhe Herzegovinën, ai do të vizitojë edhe Malin e Zi.

Nesër, Erdoğan do të arrijë në Podgoricë, kryeqytetin e Malit të Zi fqinj, me ftesë të presidentit Milo Gjukanoviç.